“Gratë e sotit veç plumbi i rehaton”- i riu me të kaluar kriminale komenton tek rasti i Akil Gjakovës


Egzon Reshani, emër i njohur për drejtësinë në Kosovë, ka komentuar me mendësi kriminale rastin ku xhudisti Akil Gjakova po dyshohet për dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Reshani ka thënë se “grat e sodit veq plumi i rahaton!” në ‘Facebook’ tek raportimi i Insajderit për dyshimet për dhunë nga Gjakova në bashkëshorten.

“jan qu pesh baco grat e sodit veq plumi i rahaton!”, thuhet në komentin e tij.

Më 2022-ën u raportua për një mori veprash penale që kishte 31-vjeçari nga Prizreni.

Sipas një raportimi të Sinjalit, i riu nga Prizreni ka hyrë në telashe me shtetin ende pa i bërë 18-vjet, kur në moshën 17-vjeçare, u dënua për armëmbajtje pa leje.

Më 11 maj të 2022-ës, në një lokal në fshatin Lubizhdë të Prizrenit, Egzon Reshani terrorizoi qytetarët që ndodheshin përreth, kur hyri me armë automatike dhe gjuajti disa herë për t’u larguar më pas me një veturë. Pas disa javësh në arrati, ai u dorëzua në Polici më 25 maj.

Këto vepra penale ai kishte përsëritur për disa herë me radhë. Ndaj tij, pranë Gjykatës Themelore në Prizren janë të evidentuara 16 aktgjykime të plotfuqishme për veprat penale si vrasje e rëndë në tentativë, lëndim i rëndë trupor, posedim i paautorizuar i narkotikëve, kanosje e të tjera.

Më 9 prill, Egzon Reshani është dënuar me 1 vit burgim me kusht dhe me 700 euro për veprën penale përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm, pasi dyshohet se “më 12 qershor 2018, rreth orës 20:45 minuta, në Prizren, në rrugën “Qazim Berisha”, ka përdorur armën në mënyrë kërcënuese dhe frikësuese, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të mëhershme me të dëmtuarin së bashku me vëllain e tij- të akuzuarin B.R., shkojnë dhe e presin të dëmtuarin pranë dhe posa i njëjti del nga hoteli, i akuzuari E.R., e nxjerrë armën e llojit të panjohur dhe me të njëjtën shtënë një herë në tokë”.