Grabovci del para Supremes, bisedat e “Pronto”-s i quan konsultative


Ka përfunduar seanca gjyqësore në Gjykatën Supreme të Kosovës për ish-shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, lidhur me aferën “Pronto”. Vendimi do t’iu dorëzohet palëve me shkrim. Në këtë seancë vetë Grabovci ka thënë se është i habitur me faktin se është dënuar nga Gjykata e Apelit duke shtuar se nuk i ka bërë padrejtësi askujt.

“Më çudit fakti si mund të akuzohem që i kam bërë padrejtësi dikujt”, ka thënë Grabovci. Ndërkohë bisedat e shumta të publikuara, Grabovci ka thënë se kanë qenë “konsultative”. Grabovci në fjalën e tij ka thënë se “i vjen keq çka ka ndodhur”.
“Mua më është bërë gjykim moral. Atë çka ka ndodhur në Gjykatën e Apelit, e vlerësoj plotësisht të padrejtë”, ka thënë tutje ai.

Avokati Florent Latifi që e përfaqëson Grabovcin ka thënë se shpreson që Supremja do të përgjigjet për ligjshmërinë e provave. Latifi pretendon se materialet që janë përdorur në këtë procedurë penale do të duhej të asgjësoheshin. Sipas Latifit, këto prova do të duheshin të shpallen të papranueshme e siç ka thënë ai, me të tilla veprime rrezikohet siguria juridike e secilit.

Grabovci dhe të akuzuarit tjerë në rast, në janar të 2020-s ishin liruar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por Gjykata e Apelit i kishte gjetur fajtorë. Grabovcit i ishte shqiptuar dënim me 1 vjet e dy muaj burgim, që nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale në kohëzgjatje prej dy vitesh. Grabovci ishte ankuar në vendimin e Apelit.