Gostivarasi sulmon gruan dhe vajzën e tij, u shkakton plagë

Prokuroria Themelore në Gostivar ka nisur procedurë kundër 43-vjeçarit nga Gostivari pasi i njëjti dyshohet se mbrëmjen e djeshme ka sulmuar dhe i ka shkaktuar lëndime trupore gruas dhe vajzës së tij. Siç njofto Prokuroria, i dyshuari mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:30, ka nisur një zënkë me gruan dhe vajzën e tij, pas çka i ka sulmuar dhe u ka shkaktuar lëndime trupore.

“Ai ka kërkuar mjete financiare , pasi bashkëshortja i ka thënë se nuk ka para, ka filluar ta godas me shuplaka. Pastaj ka kërkuar para nga vajza, por pasi që edhe vajza nuk i kishte dhënë para, ai është nisur për të marrë telefonin e vajzës për ta shitur. Kur vajza ka tentuar të lajmërojë policinë, i dyshuari ka marrë një thikë dhe është nisur në drejtim të vajzës, por është ndaluar nga gruaja e tij. Ai ka vazhduar me qëllimin e tij, duke e goditur me rrip gruan e tij në pjesën e shpinës, dhe duke shkaktuar lëndime trupore. Sulmin e ka ndaluar një familjarë”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë.

Nga Prokuroria shtojnë se personi në fjalë disa herë ka dërguar mesazhe deri tek vajza duke e kërcënuar se “do ta varr” dhe se do ta “djeg së bashku me nënën e saj”.
Për shkak të rrezikut për përsëritjen e veprave në fjalë, Prokuroria ka kërkuar paraburgim për 43-vjeçarin.