Në përfundim të afatit për paraqitjen e kandidaturave për kryetar dhe këshilltar në Komisionin Komunal Zgjedhor – Njësia në Gostivar, i cili skadon sonte në mesnatë, shumica e partive politike, siç merr vesh Tv Globi, tanimë i kanë dorëzuar listat me kandidatë për këshilltar me të cilat do të garojnë në zgjedhjet lokale.
Në periudhën e kaluar, ASH dhe B DI dhe partitë e tjera politike dhe koalicionet e tyre kanë promovuar në mënyrë të njëpasnjëshme kandidatët për kryetarë komune.
Siç zbuloi TV Globi, bartës i listës për këshilltar të ASH-së dhe AAA-së në Komunën e Gostivarit është Valbon Limani, mjek specialist në endokrinologji, ndërsa Afrim Aruçi, specialisti i biokimisë mjekësore do t’i prijë listës së Bashkimit Demokratik për Integrim.
Sa i përket PDSH-së, bartës i listës në Gostivar do të jetë Fejzi Xhelili, i punësuar te Njësia rajonale e sigurimit pensional dhe inva*lidor në Gostivar.
Lëvizja BESA në Gostivar bartës liste ka caktuar Dashmir Arifin, i punësuar në Qendrën për Punë dhe Politikë Sociale në Gostivar.
PDSH në zgjedhjet lokale në Gostivar garon me Renata Elezi, BESA me Fadil Zendelin, ASH me kryetarin aktual të komunës Arben Taravari dhe Bashkimi Demokratik për Integrim me ish kryetarin e komunës së Gostivarit, Nezat Bejta.
Rrethi i parë i zgjedhjeve lokale mbahet me 17 Tetor.