Një 37-vjeçar ka humbur kontrollin e motorit të ujit me të cilin po shëtiste në bregun e Jalës dhe për pasojë mjeti ka përplasur dy pushues.
Shkak i incidentit dyshohet të ketë qenë një manovër e gabuar e mjetit. Drejtuesi i gomones, Gjergji Priftuli ka rënë në ujë, ndërsa mjeti, i dalë jashtë kontrollit i është drejtuar bregut.
Të lënduar kanë mbetur një çift turistësh shqiptarë. 31-vjeçari me iniciale A.S. ka dëmtime në brinjë dhe në fytyrë, ndërsa 25-vjeçarja me inicialet E.Gj. ka gërvishtje të lehta. Ata u dërguan në spitalin e Himarës, ndërsa drejtuesi i motorit është shoqëruar në polici.
Njoftimi i policisë:
Sot, rreth orës 11:20, në plazhin e Jalës, shtetasi Gj. P., 37 vjeç, duke drejtuar një mjet lundrues tip (gomone), dyshohet se ka humbur kontrollin duke dalë në breg, ku si pasojë ka dëmtuar shtetasit A. S., 31 vjeç dhe E. GJ., 25 vjeçe, të cilët janë transportuar në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Drejtuesi i mjetit lundrues është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Himarë, për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Top Channel