Gold Ag ndalohet nga policia greke, shpallet person “non grata” në Greqi

Arian Agushi, i njohur me nofkën Gold AG, ka njoftuar të shtunën se i është ndaluar hyrja në Greqi për shkak të këngëve të tij.

Sipas njoftimit në Facebook, ai ishte nisur drejt Greqisë për dy koncerte sot e nesër. Por, siç thotë ai, gjatë kontrollit të pasaportave u mbajt i mbyllur nga mesnata e deri orët e para të mëngjesit të sotëm, kur u njoftua se iu ndalua hyrja në territorim grek.

“Lajmërim për shqiptarët në Greqi. Mbrëmë rreth orës 1:00 pas mesnate arrita në Athinë. Në kontrollen e pasaportave u ndalova nga policia greke dhe më mbajtën të mbyllur deri në mëngjesin e sotëm. Arsyeja e vetme ishin këngët e mia dhe ma bënë ndalesë hyrjen në atë vend. Ju kërkoj falje krejt atyre dashamirëve që do të ishin sonte e nesër prezent në koncertet e mia. Shpresoj që shihemi herave tjera”, ka shkruar Gold AG.

Reperi shqiptar dyshon se dikush e ka spiunuar.

“Kushdo që ka spiunu, dua t’i them me pak fjalë: Jemi burgos historikisht, kemi vdekur nga rrahjet e torturat, por emra nuk kemi qit .E tash pa na rreh kërkush e qesim njëri-tjetrin në gracka për fitime personale. Jam mësuar, se kam s’pari kështu, dhe do vazhdoj se… s’jam fajtor që jam shqiptar”, ka shkruar tutje ai.