Gjysmëvjetori i dytë për nxënësit e Vizbegut nisi me probleme të vjetra

Nxënësit e Vizbegut që mësojnë në disa nga shkollat e Çairit sërish mbeten pa transport publik duke u detyruar të bëjnë rrugë në këmbë mbi 4 kilometra për të ndjekur procesin mësimor. Që nga fillimi i gjysmëvjetorit të dytë autobusi i Ndërmarrjes Qarkulluese Publike nuk po kryen transportin e fëmijëve dhe për këtë madje nuk ka dhënë njoftim paraprak.

“Mësoj te shkolla “Adem” Jashari”, jam në klasën e pestë. Si keni shkuar këto ditë në shkollë? Me makinë. Kush ju ka dërguar? Xhaxhai im. E kur jeni kthyer, si jeni organizuar? Njëjtë, ashtu siç jemi”, tha një nxënës.
Prindërit shprehen të revoltuar për shkak të ndërprerjes së transportit. Thonë se çdo problem I nxënësve të Vizbegut nuk trajtohet seriozisht nga institucionet përkatëse.

“Po zhgënjehemi çdo herë, po na premtojnë diçka edhe nuk po kryhet puna. Edhe ne nuk po e dimë se prej ku po rrjedh ky problem. I gjithë fshati po vuan, fëmijët pa shkollë a shkolla është hapur, autobus nuk ka. Dikush kush mundet I dërgon me mjete private por shumica mbesin edhe pa shkollë. Po kërkojmë kushtet elementare, nuk po kërkojmë diçka që nuk është e mundur, po e kërkojmë atë që na takon si fshat ose si shkollarë, të plotësohen kushtet e fëmijëve”, u shpreh një banor i Vizbegut.

Nga Ndërmarrja Qarkulluese Publike deri në këto momente nuk morëm përgjigje për ndërprerjen e transportit. Sqarime nuk pranoi të japë as përfaqësuesi i Ndërmarrjes që ishte prezent bashkë me prindërit. Por, siç u ka transmetuar banorëve transporti është ndërprerë për shkak të një defektit të autobusit.

“Në bazë të deklaratës së tij është problemi se NPQ-ja nuk ka mjete të mjaftueshme dhe për fat mjeti me të cilim janë transportuar nxënësit e fshatit Vizbeg është në defect Por, sot ja tergum edhe kontratën e cila u bë vitin e kaluar se NPQ-ja patjetër duhet ta gjeje nji zgjidhje që ta respektoje kontratën”, tha një banor tjetër.

Në nëntor të vitit të kaluar, për një pjesë të vogël të nxënësve të Vizbegut përkohësisht u sigurua transport publik, pas protestave disa ditore të banorëve të kësaj lagjeje. Më herët, nxënësit ishin të detyruar të bëjnë rrugë në këmbë mbi 4 kilometra ose të gjejnë një mënyrë tjetër për të mbërritur në shkollën “Ismail Qemali” ose “7 Marsi” në Çair, sepse në vendbanimin e tyre mungon shkolla fillore./ Alsat.mk