Gjysma e bizneseve familjare rrezikojnë mbylljen

Telasheve si ikja e madhe e zanatlinjve jashtë shtetit, kriza ekonomike që po godet sidomos veprimtaritë ekonomike me më pak punëtorë dhe qarkullim, po i shtohet edhe faturat e larta të çilat zejtarët i paguajnë për rrymën industriale. Zejtarët ngjashëm me biznesin tjetër të vogël përballen me probleme të mëdha.

Telasheve si ikja e madhe e fuqisë punëtore apo zanatlinjve jashtë shtetit, kriza ekonomike që po godet sidomos veprimtaritë ekonomike me më pak punëtorë dhe qarkullim, po i shtohet edhe faturat e larta të çilat zejtarët i paguajnë për rrymën industriale. Vlerësohet se një pjesë e mbi 6000 zejtarëve që punësojnë një dy apo tre të punësuar apo bizneset familjare, edhe mund të vendosin drynin në rast se nuk ju ofrohet një ndihmë më e madhe.

Bile nga Oda e Zejtarëve të Maqedonisë thonë se rrezikohet mbyllja e gjysmës së tyre deri në vit të ri në rast se ekzekutivi nuk ofron ndihmë konkrete për mbijetesën e tyre. Njëherësh kërkojnë që zejtarët që tatimohen të paguajnë rrymën ngjashëm si amvisëritë.

“Në një moment të vështirë ekonomik dhe social nevojitet që qeveria të ndihmojë zejtarët duke ulur tarifat për rrymën industriale apo duke i vendosur zejtarët e regjistruar në Regjistrin e zejtarëve në kategorinë e amvisërive, apo duke i subvencionuar ato. Një hap i tillë do të ndikonte drejtpërdrejt në ruajtjen e vendeve të punës në këtë periudhë të vështirë”, thotë Agron Fazliji, kryetar i Odës së zejtarëve të Maqedonisë. Sipas tij, zejtarët si anëtarë të odës paguajnë prej 30 mijë deri 40 mijë denarë për rrymë në tregun e lirë.

Esnafi i zejtarëve thotë se po paguajnë rrymë më të shtrenjtë industriale, ndërsa konsumi i energjisë elektrike të dyqaneve të zejtarëve apo këtyre firmave mikro dhe të vogla, as që mund të krahasohet me kapacitetet e mëdha industriale. Pra, nuk mundet që një tharëse e flokëve në një sallon ondulimi apo një pajisje industriale të harxhojë aq sasi të mëdha të rrymës që të mund të krahasohet me kapacitetet e mëdha industriale shtojnë ato.

Zejtarët njëherësh thonë se tani është koha që ekonomia në vend të ketë mundësi të punojë dhe të tejkalojë këtë krizë të vështirë, dhe pastaj të mendohet për reformat e reja tatimore. Gjithashtu nga komunat kërkohet që së bashku me Ministrinë e Arsimit më shumë të promovojnë zejtarinë ndër të rinjtë me qëllim që të plotësohet gradualisht kërkesa për kuadro deficitare në tregun e punës si dhe të nxisin interesimin e të rinjve për mësimin e zanateve të vjetra, që do të ndihmojë edhe zhvillimin e turizmit.

Kërkohet edhe subvencionimi i zejeve të vjetra në të gjitha komunat në vend si orëndreqësit, jorganxhinjtë, rrobaqepësit, etj. Nga vetëqeverisjet lokale kërkohet të ndihmojnë zejtarët të ballafaqohen me ekonominë gri si dhe kërkohet edhe përfshirja e esnafit të zejtarëve në trupat lokal që do të mbrojnë interesat e tyre. Për ruajtjen e tyre do të parashtrohet edhe zgjidhje ligjore deri tek Ministria e Kulturës, ndërsa do të kërkohet edhe subvencionim i përhershëm nga ana e shtetit për shkak se këto zeje bëjnë pjesë dhe bashkërendojnë edhe me turizmin dhe me trashëgiminë kulturore. (koha.mk)