“Gjyqësori joefikas dhe sektori publik i fryrë kufizojnë liritë ekonomike në Maqedoni”

Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 46-të sipas Indeksit të Lirisë Ekonomike të Fondacionit Heritage 2021, të publikuar të enjten, i cili mbetet në grupin e ekonomive mesatarisht të lira.
Rezultati i përgjithshëm i Indeksit të Lirisë Ekonomike të Maqedonisë së Veriut këtë vit është 68.6 dhe është ulur me 0.9 pikë krahasuar me raportin e mëparshëm, kryesisht për shkak të rënies së lirive tregtare.

Sidoqoftë, vërejtjet kryesore i referohen gjyqësorit joefikas në vendin tonë, sektorit publik të madh, korrupsionit, subvencioneve të mëdha dhe joefikase.
Vendi ynë renditet i 27-ti në mesin e 45 vendeve në rajonin e Evropës, dhe rezultati i tij i përgjithshëm është nën mesataren e rajonit, por mbi mesataren botërore, thuhet në pjesën e raportit kushtuar Maqedonisë.
Pavarësisht nga përkeqësimi i vlerësimit, krahasuar me vendet përreth, Maqedonia renditet më së miri, madje përpara Sllovenisë, e cila është e 48-ta, Serbia e 54-ta, Kosova e 58-të, Kroacia e 79-ta dhe Mali i Zi i 80-ti dhe Bosnja dhe Hercegovina në vendin e 82-të.

Nga fqinjët tanë të tjerë, Bullgaria renditet e 35-ta, Shqipëria e 66-të dhe Greqia e 96-ta.
Sipas Indeksit të Fondacionit Heritage, këtë vit ekonomia më e lirë në botë është Singapori, dhe pranë tij në grupin e “vendeve ekonomikisht të lira” me një indeks më të madh se 80 janë Zelanda e Re, Australia, Zvicra dhe Irlanda