Gjymtyrët ‘inteligjente’, zgjidhja për të gjymtuarit në Gaza

Të amputuarit thonë se jeta e tyre është përmirësuar ndjeshëm. Gjymtyrët artificiale, të përdorura për herë të parë në Rripin e Gazës, po përmirësojnë dukshëm jetën e të amputuarve. Që nga Marsi, një spital i financuar nga Katari në Gaza ka ofruar proteza mioelektrike që imitojnë anatominë dhe lëvizjen e njeriut.

Pajisjet e motorizuara mundësohen nga bateritë dhe kontrollohen nga sinjalet elektrike të krijuara nga muskujt. Ahmed Abu Hamda, 36 vjeç, i cili humbi dorën e djathtë në vitin 2007 gjatë një shpërthimi, tani është në gjendje të kryejë disa aktivite të përditshme të cilat dikur ishin të pamundura për të.

“Që kur kam marrë këtë gjymtyrë, pamja ime e jashtme është përmirësuar, njerëzit nuk e kuptojnë se kam një dorë të amputuar, dukem normal. Në shtëpi, mund të pi ujë dhe nëse shkoj në treg mund të mbaj qese”. Tani që ai ka dorën e tij të re artificiale, Hamda tha se ai mund të përqafojë lehtësisht vajzën e tij 4-vjeçare dhe djalin 18-muajsh.

“Tani mund t’i mbaj, të luaj me ta, t’u kap duart dhe të eci në rrugë”. Projekti është i pari i këtij lloji në territoret palestineze. Deri më tani, 21 të amputuar në Gaza kanë marrë gjymtyrë “inteligjente” ndërsa 40 të tjerë janë në listën e pritjes.