Gjykatësit Ariton Alla nga Gjykata e Apelit Shkup dhe Danka Ristova nga Gjykata e Apelit Shtip janë anëtarët e rinj të Këshillit Gjyqësor, njoftoi sonte kryetari i Komisionit për Zbatimin e Zgjedhjes së Anëtarëve të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjykatësve, Subhi Jakupi, duke shpallur rezultatet paraprake të zgjedhjeve të sotme që u zhvilluan nga ora 8:00 deri në 15:00 në vendvotimet në të gjitha gjykatat në mbarë vendin.
Siç theksoi Jakupi, gjykatësi Ariton Alla ishte i vetmi kandidat në listën zgjedhore për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Gjyqësor nga një listë e veçantë kandidatësh. Në regjistrin gjyqësor në nivel të Republikës së Maqedonisë së Veriut ishin të regjistruar gjithsej 354 gjykatës votues, nga të cilët 295 e realizuan të drejtën e tyre të votës. Numri i fletëvotimeve të pavlefshme ishte 42, ndërsa 59 fletëvotime mbetën të papërdorura.
Kandidati Ariton Alla nga Gjykata e Apelit Shkup, duke qenë i vetmi kandidat, ka marrë 253 vota, që do të thotë se është zgjedhur si anëtar i Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga radhët e gjykatësve nga një listë e veçantë kandidatësh nga Njësia Zgjedhore e Republikës së Maqedonisë së Veriut,” tha Jakupi.
Sa i përket zgjedhjes së anëtarit të Këshillit nga rajoni i Apelit të Shtipit, ka pasur pesë kandidatë, ndërsa në regjistrin gjyqësor në nivel të rajonit të Apelit të Shtipit si njësi zgjedhore ishin të regjistruar 40 gjykatës votues. Numri total i gjykatësve që kanë realizuar të drejtën e votës ishte 39, ndërsa vetëm një fletëvotim mbeti i papërdorur, informoi Jakupi.
Gjykatësja Meri Giçeva nga Gjykata Themelore Shtip ka marrë një votë, kryetarët e Gjykatës Themelore Shtip dhe Gjykatës së Apelit Shtip, Aco Tasev dhe Toni Delev, kanë marrë nga tre vota secili, gjykatësja e Gjykatës Themelore Shtip, Nevena Perica, ka marrë pesë vota, ndërsa gjykatësja Danka Ristova nga Gjykata e Apelit Shtip ka marrë 27 vota.