Gjykata turke do të rishikojë statusin e Hagia Sofias


Gjykata më e lartë administrative në Turqi pritet të vendosë nëse Hagia Sofia në Stamboll mund të shndërrohet në xhami.

Vendimi i Këshillit Shtetëror mund të merret më 2 korrik, apo brenda 15 ditëve, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu.

E ndërtuar në periudhën e viteve 532-537, me urdhër të perandorit bizantin, Justinian I, Hagia Sofia (Urtësia e Shenjtë) ka qenë kisha më e madhe e botës krishtere për gati një mijëvjeçar.

Katedralja ortodokse greke ishte shndërruar për një periudhë të shkurtër kohore, 1204-1261, në kishë katolike, në kohën e Perandorisë Latine.

Më vonë, më 1453, pas pushtimit të Konstandinopojës nga otomanët e udhëhequr nga Sulltan Mehmeti II, ky objekt ishte kthyer në xhami, duke shtuar katër minare në të.

Statusi i saj është ndryshuar në muze, sipas një dekreti të vitit 1934 dhe aktualisht ky objekt është pjesë e trashëgimisë kulturore botërore që mbikëqyret nga Agjencia për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESECO).

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka bërë thirrje për shndërrim të këtij objekti në xhami përgjatë një marshi zgjedhor vitin e kaluar.

Shumë persona në Turqi e shohin statusin aktual të Hagia Sophias si simbol të kushtetutës sekulare të shtetit.

Hagia Sofia vizitohet nga miliona turistë brenda vitit. Vetëm më 2019, atë e kanë vizituar 3.7 milionë persona, sipas Zyrës së Guvernatorit të Stambollit.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Turqisë që të ruajë statusin e muzeut për këtë objekt./REL