Gjykata Speciale: “Thaçi dhe Veseli deklarohen të pafajshëm për akuzat e reja”

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli janë deklaruar në seanca të ndara të pafajshëm për akuzat e reja për krime lufte kundër njerëzimit në fshatrat e Gjilanit dhe Suharekës. Gjykatësi Nicolas Guillou e ka pyetur presidentin Thaçi se a e ka pranuar aktakuzën e re të ndryshuar, të konfirmuar më 29 prill 2022, ndërsa ai e konfirmoi se e ka pranuar një kopje të saj.

Megjithëkëtë, presidenti Thaçi deklaroi se nuk i ka kuptuar akuzat e reja në aktakuzën e konfirmuar, për shkak se “janë shumë të redaktuara”. Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe tha se akuzat janë shumë të redaktuara dhe kjo e bën klientin e tij dhe të akuzuarit e tjerë të mos kenë mundësi të kuptojnë se çfarë saktësisht po paraqet Prokurori i Specializuar.

“Me këto redaktime është e pamundur të kuptohet nga ai se për çfarë bëhet fjalë dhe ne i kemi kaluar këto me Thaçin, i kemi diskutuar këto çështje dhe kemi thënë se do të vetëdeklarohet i pafajshëm në këtë moment”, tha Kehoe. Ndërsa, Thaçi tha se nuk dëshiron të shtoj diçka, dhe deklarohet i pafajshëm megjithëse lëndën nuk e ka lexuar e kuptuar, por se, deklarohet i pafajshëm.

“Duke pas parasysh këto redaktime, presidentit Thaçi paraqet një deklarim jo fajtor, i pafajshëm”, tha Kehoe.
Edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në seancë të ndarë është deklaruar i pafajshëm të martën lidhur me akuzat e reja për krime lufte në fshatrat e Gjilanit dhe Suharekës. Pas leximit të akuzave nga sekretarja e gjykatës, Veseli është pyetur nëse i ka lexuar dhe kuptuar ato.

“I kam lexuar, vetëm kam dëshirë që procesi gjyqësor të fillojë sa më shpejtë dhe të kem të drejtën të shpreh pozitën dhe pafajësinë time para qytetarëve të Kosovës, luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe këtij gjyqi të nderuar”, tha Veseli. Ndërkohë, pas kësaj, me sugjerim të gjyqtarit Guillou, Veseli është deklaruar mbi çështjen e fajësisë.

“Deklarohem i pafajshëm”, deklaroi ish-kryeparlamentari Veseli. Të martën, në seanca të ndara në Hagë do të bëhet paraqitja edhe e Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit Special ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Në njoftim thuhet se aktakuza e re pritet të rëndohet me akuza të reja që i referohen krimeve që pretendohet të jenë kryera në fshatrat e Suharekës dhe Gjilanit. Gjykata Speciale versionin e redaktuar të aktakuzës së re e ka publikuar në ueb-faqen e saj.

Aktakuza ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Thaçit dhe të tjerëve, është konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020 nga Gjykata Speciale në Hagë. Akuza ndaj tyre në kohë shtrihet midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999 ndërsa akuzohen se kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur./Anadolu Agency/