Gjuriqi tregon shkaqet e anulimit të takimit Vuçiq – Thaqi, “iu kërcënua e bija”

I vetmi që ka folur për gazetarët në Bruksel, nga pala serbe, ka qenë shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Ai ka arsyetuar anulimin e takimit nga ana e Vuçiqit.

“Shkaku i të gjitha gënjeshtrave e mashtrimeve dhe qasjes së neveritshme që përfaqësuesit e Prishtinës e treguan ndaj serbëve këto ditë duke kërcënuar e ofenduar, duke kërcënuar edhe të bijën e presidentit tonë”, ka thënë Gjuriqi.

Shkaku i të gjitha këtyre, Vuçiqi nuk do të takohet me përfaqësuesit kosovarë në Bruksel dhe çështja është kur e si do të mund të vazhdojmë dialogun, ka thënë më tej ai.

“Ne do të donim edhe në të ardhmen të ruajmë paqen e normalitetin por kërcënimet, shantazhet dhe ofendimet, tentimet që Vuçiqit t’i ndalohet vizita në Gazivodë e veri, tentimi që presidentit të kërcënohet, të ofendohet gjithë populli, tentimi që të nënvlerësohen bisedimet, atëherë edhe mbrëmë Thaçi në televizione në Prishtinë tregonte se si po bisedohet për Medvegjen Bujanocin e Preshevën, territor më i madh se sa vet Kosova në jug të Serbisë… e vetmja çështje e territorit për të cilin diskutohet është Kosova vet, të tjerat nuk shërbejnë për asgjë. Ky proces tashmë u prish nga vullneti i keq i Prishtinës por nuk ka përgjigje as pse BE-ja që do të duhej të siguronte kushte për dialog, të mos ketë presion e kërcënime, nuk ka garantuar asgjë”, ka thënë Gjuriqi.

Kjo sipas tij ka bërë që të mos ketë as kushte minimale që të flitet këtu me përfaqësuesit e Kosovës.

Sa i përket vizitës së Vuçiqit në Kosovë, Gjuriq ka thënë se lidhur me këtë kanë vendosur që në këto rrethana nuk do të duhej të shkonte.

“Edhe mendimet tona janë të ndara. Deri sonte nuk do të dihet asgjë, e nëse vendosë të shkojë do të shkojë edhe në Gazivodë. Do të endet lirshëm në territorin e Kosovës”, ka thënë Gjuriqi.

Vuçiqi foli me Mogherinin duke e informuar për gjithçka që ndodhi këto ditë.

“Gënjeshtra, mashtrime gjithçka që bëri Prishtina dhe për këtë s’duam të takohemi me ata. Kërcënimet që dëgjuam nga presidenti i Kuvendit të krahinës është turp. Andaj s’duam të shohim askënd prej tyre dhe të jeni të sigurt që nëse Vucici vjen në Kosovë nuk do të arrestohet. Ne kemi mbaruar këtë takimin dhe presidenti nuk do të flasë deri sonte ndoshta. Për fillim duhet ata të ndalen të gënjejnë e më pas ne do të shohim nëse do të bisedojmë”, ka thënë ai.