Gjuriq: Nuk do ta lejojmë formimin e Ushtrisë së Kosovës


Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq ka akuzuar Prishtinë zyrtare se duke bërë presion te pjesëtarët serbë të FSK-së, po i detyron ata ta pranojnë formimin e Ushtrisë.
Por Gjuriq edhe një herë është zotuar se Ushtria nuk do të krijohet, të paktën ai pretendon se këtë nuk do ta lejojnë serbët.

“Kemi deklaruar në mënyrë të vazhdueshme dhe të hapur se Serbia është kundër formimit të një ushtrie të re në territorin e saj. Ky është qëndrimi i Listës Serbe dhe i shumicës së serbëve në Kosovë. Individë të frikësuar apo të korruptuar serbë nuk janë justifikim për ndonjë mendim tjetër. Ju mund të lexoni deklaratat e ndërkombëtarëve që thonë se Ushtria duhet të bëhet vetëm me Kushtetutë. E kjo nuk mund të bëhet pa pëlqimin e serbëve. Në këtë kohë nuk ka konsensus e as nuk do të ketë”, deklaroi Gjuriq, transmeton lajmi.net.

Tutje ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që largimi i serbëve në FSK po bëhet nga mundësia që “Kosova ta pushtojë veriun”.

Gjuriq thotë se serbët në Kosovë këtë Ushtri e shohin si kërcënim për sigurinë e tyre.

“Pjesëmarrja e serbëve në FSK bëhet që ata të pretendojnë se po krijojnë një ushtri të vërtetë. Serbët në Kosovë këtë formacion e shohin si kërcënim”, deklaroi Marko Gjuriq.

Në fund të intervistës për gazetën serbe Blic, Gjuriq tha se ende ka shumë punë deri te arritja e një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi. /Lajmi.net/