Gjuriq: Hoti s’mund t’i ikë krijimit të Asociacionit


Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq tha se kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti “mund ta gënjejë publikun sa të dojë” por ai “nuk do t’i ikë” krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Ai [Hoti] në takimet në Bruksel këndon këngë tjetër dhe jo vetëm që premton se do ta mundësojë formimin e Asociacionit të komunave serbe por edhe garanton autorizime shtesë për të” tha Gjuriq në një deklaratë të publikuar në ueb-faqen e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë. Gjuriq i cili është edhe udhëheqës i delegacionit të Serbisë në bisedimet në nivel ekspertësh me Kosovën tha se Hoti duhet të ndërmarrë urgjentisht hapa për të formuar Asociacionin pas një vonese shtatëvjeçare.

Formimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 të arritur në dialogun Kosovë-Serbi por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Derisa Kosova insiston tani se nuk dëshiron ta hapë më çështjen e Asociacionit në bisedimet me Serbinë kjo e fundit kërkon që të bisedohet për të. Edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lakçak ka thënë se Asociacioni “duhet të adresohet në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse” midis Kosovës dhe Serbisë. Por Hoti përsëriti të hënën se çështja e Asociacionit është një temë e mbyllur tashmë dhe se ajo nuk hapet.

Gjuriq në anën tjetër tha se çështja e Asociacionit “do të mbyllet kur ai të formohet në përputhje me marrëveshjet e arritura në Bruksel madje as atëherë sepse Asociaioni është menduar dhe dakorduar si një institucion që mund ta zhvillojë dhe zgjerojë edhe anëtarësimin edhe kompetencat e tij”. Një takim i Kosovës dhe Serbisë në nivel ekspertësh ka qenë i paraparë të mbahet sot në Bruksel por ai është shtyrë për shkak të siç kanë thënë zyrtarët evropianë situatës së krijuar me koronavirus.