Gjuha shqipe zyrtare? Jo për Gjykatën Kushtetuese!

Nga ana tjetër, edhe përfaqësimi i drejtë etnik në këtë institucion mbetet i ulët. Sipas raportit të Avokatit të Popullit për vitin 2018, nga 30 të punësuar në Gjykatën Kushtetuese, 26 janë maqedonas dhe vetëm dy shqiptarë, një turk dhe një serb. Kjo e bën përqindjen e shqiptarëve 6.7%, shumë më të ulët se censusi kushtetues që është 20%. Akti më i lartë ligjor, Kushtetuta, parasheh përfaqësim të drejtë të qytetarëve të cilët u takojnë të gjitha bashkësive në organet e shtetit dhe institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet.

“Përfaqësimi i drejtë i qytetarëve të cilët u takojnë të gjitha bashkësive në organet e shtetit dhe institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet”, thuhet në Kushtetutë.

Nga ky institucion për “Alsat” thanë se në korrik kanë ndryshuar tabelat dhe vulat në përputhje me ligjin për përdorimin e gjuhëve si.

“Sa i takon përkthimit të materialeve në gjuhën shqipe, ju njoftojmë se për momentin nuk kemi të punësuar person i cili do ta bënte këtë punë për të cilën në aktin e sistematizimit të vendeve të punës është paraparë vend i veçantë pune. Gjykata Kushtetuese, në kërkesën e saj buxhetore për vitin e ardhshëm ka kërkuar të sigurohen mjete për punësimin e një përkthyesi të gjuhës shqipe. Nëse mjetet miratohen, do të zbatohet procedurë për punësimin dhe do të plotësohet ky vend pune”, thonë nga Gjykata Kushtetuese.

Mungesën e zbatimit të shqipes në Gjykatën Kushtetuese dhe në të gjitha institucionet e tjera deri tani nuk ka pasur kush ta sanksionojë. Inspektorati për zbatimin e gjuhëve i cili do fillojë punën në terren së shpejti, thotë se nuk do të kursejë asnjë institucion.

“Të gjitha institucionet duhet ta respektojnë ligjin dhe të punojnë në bazë të ligjit. Ne si inspektorat për përdorimin e gjuhëve do ta kryejmë punën tonë që kemi në bazë të kompetencave tona që janë të përcaktuara në bazë të ligjit dhe do të marrim masa në bazë të ligjit dhe kompetencave që i kemi. Dënimet në bazë të ligjit për përdorimin e gjuhëve janë 4 mijë deri 5 mijë euro dhe 30% e shumës i adresohet udhëheqësit të institucionit”, deklaroi Fatmir Iseni, drejtor i Inspektoratit për zbatimin e gjuhëve.

Gjykata Kushtetuese nuk është e vetme. Drejtori i inspektoratit, Iseni, thotë se në bazë të analizës së tyre, ka përparim në zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve gjatë vitit të fundit por ka akoma institucione që nuk e respektojnë. /Alsat/