“Arbëria” është një ndër filmat e rinj që liston platforma Netflix. Ndonëse produksioni i këtij filmi ka përfunduar në fund të vitit 2019, rrugëtimi i tij artistik atë vit mbeti brenda Italisë.
Në vitin 2020, ku u anuluan mjaft festivale filmi, rruga ishte e vështirë edhe për “Arbërinë”. Por, në vitin 2021, me çeljen e eventeve kulturore, ky film nisi premierat nëpër Europë. Edhe në Shqipëri, filmi është prezantuar në “Dea Film Festival”, por nga fillimi i këtij viti do të jehojë edhe në platformën Netflix.
Është realizuar nga një ekip italian, por regjisorja e këtij filmi Francesca Oliveri preferon të listojë emrat e aktorëve që mbartin kuptime nga gjuha shqipe. Arbëreshët e Italisë dhe kultura e tyre e ka joshur sa herë që gjyshja e saj tregonte, ndaj edhe Oliveri pranon se familja e saj që ruante me fanatizëm gjuhën, kostumet, vallet dhe këngët e kanë frymëzuar për të realizuar këtë film.
“Arbëria” është një film, në qendër të të cilit është Aida, një stiliste e re që ka filluar një jetë larg fshatit ku u rrit, një vajzë që tanimë është përshtatur me jetën europiane. Ajo rikthehet në vendin e origjinës së saj, në Kalabri, pas vdekjes së babait, nga ku rizbulon kulturën dhe traditat arbëreshe të kësaj pakice që jeton në disa fshatra të vogla në Kalabri dhe Bazilikatë, por që ndër shekuj trashëguan jo vetëm gjuhën, por edhe muzikën e gëzimin