“Gjuha maqedonase është e juaja”, Von der Leyen çon në këmbë shumicën në parlament. VMRO: Tradhtarë

Parlamenti në Maqedoninë e Veriut ka nisur seancën ku po diskutohet propozimi francez, që nëse miratohet i hap rrugë integrimit të vendit në BE.

Seancës i është drejtuar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, e cila sot qëndron në Shkup.

Në fjalën e saj, Von der Leyen, tha se “gjuha maqedonase është e juaja”, fjali e cila çoi në këmbë maxhorancën e cila duartrokiti fjalimin e saj, ndërsa nga opozita maqedonase dëgjohen duke thirrur “tradhtarë”.

“Nëse vendosni të miratoni propozimin e rishikuar francez, në ditët në vijim do të mbahet një konferencë politike ndërqeveritare. Ne si komision do të fillojmë menjëherë procesin e kontrollit ose shqyrtimit të ligjit evropian. Ky është hapi i parë në procesin e aksesit.

Të dashur maqedonas, i dëgjova me vëmendje shqetësimet lidhur me gjuhën dhe identitetin maqedonas. Nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është gjuha juaj. Po e përsëris, nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është gjuha juaj dhe ne e respektojmë plotësisht këtë. Prandaj në propozimin e rishikuar thuhet – gjuha maqedonase, pa kualifikime nga BE-ja”, tha Von der Leyen.