Gjorge Ivanov vendos veto për marrëveshjen me Greqinë, tregon arsyet e tij

Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov, ka sjellur vendim që të mos e nënshkruaj dekretin e Ligjit për ratifikimin e marrëveshjes për emrin me Greqinë.

Në vendimin që sot Ivanov ju ka dërguar mediave ka sqaruar edhe arsyet e tij për të cilat nuk e miraton marrëveshjen me Greqinë, duke thënë se si president ai çdo herë është sjellur me përgjegjësi dhe ka respektuar Kushtetutën e vendit, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Nuk kam mandat ta nënshkruaj dekretin për shpalljen e ligjit për ratifikimin e kësaj marrëveshje. Një nga betimet e mia në vitin 2014 ka qenë se “nuk do të pranojë ndryshim të Kushtetutës dhe emrit kushtetues”. Marrëveshja del nga kornizat e rezolutës 817 (1993) dhe 845 (1993) të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pasi në to flitet për “dallime rreth emrit të shtetit” dhe jo “dallime” siç është në marrëveshje”, shkruan presidenti.

Ai më tej vendimin e tij e arsyeton duke thënë se marrëveshja me Greqinë nuk është kushtetuese dhe nuk është ratifikuar sipas Kushtetutës.

Në fund Ivanov thotë se marrëveshja me Greqinë e bën të varur Maqedoninë nga një shtet tjetër, gjegjësisht Greqinë.

Përndryshe, pasi Ivanov vendosi të mos e nënshkruaj marrëveshjen me Greqinë, ajo rikthehet përsëri në Kuvend, ku duhet sërish të votohet nga shumica absolute e deputetëve, ndërsa më pas presidenti është i detyruar ta nënshkruajë.