Kur edhe pak orë kanë mbetur deri në mbylljen e vendvotimeve në komunën e Tuzit, qytetarët urojnë që pas shumë dekadave ky vend të udhëhiqet nga shqiptarët.
Për të përcjellë procesin e votimit, një numër i madh i qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, kanë ardhur në Tuz.
Anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, thotë se sot është ditë historike, për çka u shpreh shumë entuziast, se pas shumë dekadave kjo komunë do të udhëhiqet nga shqiptarët.
Gjonaj: Populli shqiptar i bashkuar në Malësi
“Kurrë më i gëzueshëm dhe kurrë zemrën më të plotë se kam pasur se sot. Është një energji është një entuziazëm që me të vërtetë populli shqiptar janë bashkuar në Malësi, për të mirën e kombit tonë dhe jo vetëm për një komunë. Sot nuk është në pyetje vetëm një komunë, por kombi jonë dhe detyrimi e borxhi qe kemi”, tha ai.
Gjonaj thotë se asnjëherë nuk mund të harrojë vendlindjen e tij, ku sipas tij çdo qytetar i Tuzit i ka borxh këtij vendi.
Gjonaj: Me dekada kemi luftuar të kemi komunën tonë
“Me dekada kemi luftuar që të kemi komunën tonë në Tuz. Sot, shqiptarët duhet të fitojnë dhe të fitojnë në mënyrë madhështore. Dhe me qenë hapi i parë, sepse kemi shumë punë së bashku. Duhet të dalim me çështje kombëtare, ne presim nga Kosova e Shqipëria që të na prijnë”, tha Gjonaj.
Ai ka uruar që këto zgjedhje të jenë transparente e të lira.
Gjonaj: Zgjedhjet të jenë të lira
“Është shumë me rëndësi që këto zgjedhje, të jenë të lira dhe transparente. Sepse janë me të vërtetë zgjedhje të rëndësishme. Dhe shpresojmë që të ecin pa incidente, ditën e zgjedhjeve, pas zgjedhjeve, dhe pas zgjedhjeve. Dhe e fundit, sido që të jetë rezultati, komuna duhet të ketë fonde, sepse komuna pa fonde nuk i dihet askujt asgjë. Kemi detyrim t’i përmbushim nevojat e vendit, jo për fondet po për komunën”, ka përfunduar Gjonaj.
Në zgjedhjet që po mbahen sot në Tuz, tri partitë politike kryesore shqiptare kanë themeluar Forumin Shqiptar për Komunën e Tuzit, me moton ” Malësia na bashkon”, ku për herë të parë pas 62 vjetësh ky vend pritet të ketë një udhëheqje komunale të pavarur nga Podgorica.
Komuna e Tuzit ka marrë statusin e plotë si komunë e pavarur, më 1 shtator të vitit të kaluar.
Gara më e fortë zgjedhore po zhvillohet mes koalicionit të forcave politike shqiptare “Malësia na bashkon” dhe Partisë Demokratike Socialiste të presidentit malazez, Milo Gjukanoviq.