Gjithnjë e më shumë të rinjë të prekur nga Koronavirusi, OBSH: Ju nuk jeni të pathyeshëm

Rinia feston party dhe nuk e vret shumë mendjen për masat kundër koronavirusit, pasi mendon, se ajo nuk i prek të rinjtë. Por në shtretërit intensivë të spitaleve gjermane po trajtohen gjithnjë e më shumë pacientë të rinj.

“Pacientët më të rinj me simptoma Covid-19 kanë qenë në fillim të të 20-ve. Në tërësi ne e shohim të gjithë spektrin demografik, pavarësisht nëse je në pavionë normalë apo në pavionët e intensivit”, thotë mjeku Clemes Wendtner nga klinika e infektivit në spitalin e Mynihut, Schvabing.

Wendtner ka trajtuar që në fund të janarit rastet e para me virusin Covid-19, pacientët e parë të infektuar në Gjermani. “Kjo duhet t’i shkundë të gjithë, që të respektojnë masat e higjienës dhe rregullat.” Rreziku nga virusi i ri është nënvlerësuar shumë në fillim, si nga politika edhe nga shkenca, pranon Wendtner.

Edhe të rinj trajtohen në shtretërit intensivë për shkak të Coronës

OBSH: “Ju nuk jeni të pathyeshëm”

Veçanërisht të rrezikuar janë personat e moshuar dhe të sëmurët, por edhe pacientët me shëndet të mirë, por me probleme me mushkërinë, si për shembull duhanpirësit dhe pacientët me astma, shpjegon shefi i klinikës. Edhe diabetikët dhe njerëzit me tension të lartë të gjakut janë të rrezikuar, sepse tensioni i lartë bën që të mos furnizohen mirë organe si mushkëria. Modelet epidemiologjike kanë treguar, se efektet e mbylljes së shkollave dhe dyqaneve më së herëti do të duken pas tre javësh, thotë Wendtner.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë apelon tek të rinjtë që të respektojnë në krizën e Coronës rregullat e vendosura. “E kam një mesazh për të rinjtë“, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus në Gjenevë. “Ju nuk jeni të pathyeshëm. Vërtet që për të moshuarit ekziston rreziku më i madh i infektimit me Sars-CoV-2 dhe të zhvillohet sëmundja e mushkërive, Covid-19. Por nuk është se ajo i anashkalon të rinjtë“, tha Tedros. “Ky virus mund të thotë edhe për ju shtrim disajavor në spitale, ose edhe mund t’iu vrasë.” Dw.com