Gjithë Evropa po ia mbyllin qiellin Rusisë, pse Kosova po heshtë?

Republika e Kosovës duhet t’i bashkohet hartës së vendeve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të rajonit për ndalimin e hapësirës ajrore për avionët në pronësi ruse, thonë anëtarë të Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës dhe njohës të aviacionit.

Pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga shteti i Rusisë, Bashkimi Evropian më 27 shkurt ka vendosur disa sanksione ekonomike kundër Rusisë, duke përfshirë edhe mbylljen e hapësirës ajrore.

Të mërkurën, më 2 mars, njëjtë kanë vendosur edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vendimin e njëjtë e kanë marrë edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Mali i Zi ka nisur procedurën për marrjen e vendimit për mbylljen e hapësirës ajrore për avionët rusë, kurse kundër një vendimi të tillë janë Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës është komandanti i misionit të KFOR-it, përkatësisht NATO-s, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake të vitit 1999.

Hapësira e ulët ajrore e Kosovës menaxhohet nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Kosovës, e cila ofron shërbime për aeroplanët civilë gjatë fluturimit në hapësirën ajrore të Kosovës me qëllim të aterrimit dhe ngritjes nga Aeroporti i Prishtinës.

Ndërsa, hapësira e lartë ajrore nga 6,250 e më lart, e hapur për trafikun komercial nga viti 2014, është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it, i cili ofron shërbimet teknike të kontrollit të trafikut në këtë lartësi.

Kjo për shkak se Kosova ende nuk ka arritur kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.

Sipas Rashit Qalajt, anëtar i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, të mbyllë hapësirën ajrore për avionët rusë.

“Kosova ka mbetur mbrapa me këtë veprim. Një vendim i tillë është dashur të merret në të njëjtën ditë kur ka vendosur Bashkimi Evropian. Mendoj se Qeveria në mënyrë urgjente duhet të shkojë në një linjë me Bashkimin Evropian”, thotë Qalaj për Radion Evropa e Lirë.

Nga Qeveria e Kosovës nuk janë përgjigjur në pyetjen nëse një kërkesë e tillë është bërë. Radio Evropa e Lirë, po ashtu, e ka kërkuar një përgjigje edhe nga KFOR-i, por as nga ky mision deri në publikimin e këtij teksti nuk janë përgjigjur.

Rashit Qalaj thekson se Rezoluta 1244 të OKB-së mund të jetë një ndër arsyet e vonesës së marrjes së vendimit, por Qeveria duhet të bëjë përpjekje për të mbyllur hapësirën ajrore.

Rezoluta 1244 është miratuar në vitin 1999 nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe përcakton mandatin e pranisë ndërkombëtare civile dhe të sigurisë në Kosovë. Sipas kësaj Rezolute, prania ndërkombëtare e sigurisë, me një pjesëmarrje substanciale të NATO-s, duhet të vendoset nën një komandë dhe kontroll të përbashkët, dhe të jetë e autorizuar për të vendosur një ambient të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë.

Bahri Nuredini, ish-drejtor i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), thotë se Qeveria e Kosovës është dakorduar më të gjitha sanksionet tjera të BE-së dhe SHBA-së karshi Federatës Ruse dhe nuk duhet të hezitojë as në këtë drejtim.

Pavarësisht faktit se hapësira e lartë ajrore nuk menaxhohet nga institucionet vendore, edhe Nuredini konsideron se autoritetet përgjegjëse të aviacionit dhe Qeveria e Kosovës duhet të kërkojnë nga KFOR-i që të ndalohet komunikacioni ajror për kompanitë ruse.

“Me një vendim të shpejtë, politikë-bërësit në Kosovë në koordinim me komandantin e KFOR-it, lehtë mundësohet mbyllja e hapësirës ajrore”, thotë ai.

“Në parim, NATO kërkon nga HungaroControl-i që të për të mbyllur dhe hapur hapësirën. Mirëpo, duke parë zhvillimet politike që janë, Qeveria ka të drejtë që të koordinohet me komandantin e KFOR-it dhe këto vendime të merren bashkërisht për hapjen dhe mbylljen e hapësirës”, thotë Nuredini .

Edhe Ali Aliu, ish-drejtor i Departamentit të Aviacionit Civil në Ministrinë e Infrastrukturës, thotë se vendimi i Qeverisë duhet të jetë i ngjashëm me vendet evropiane, si përgjigje ndaj nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

“Të gjitha fuqitë kyçe të paktit NATO kanë ndaluar të gjitha fluturimet e kompanive ruse mbi territorin e tyre. Për këtë arsye Qeveria është dashur… nuk e di a ka biseduar me KFOR-in për këtë çështje. Po besoj se janë në kontakt me ta [KFOR], pasi e kontrollojnë hapësirën e lartë ajrore është dashur të propozohet që të ndalohen fluturimet”, shprehet ai.

Mediumi, po ashtu, ka kërkuar përgjigje nga Autoriteti i Aviacionit Civil nëse Qeveria e Kosovës i është drejtuar me një kërkesë për mbylljen e hapësirës ajrore, por as nga ky institucion nuk janë përgjigjur. Kjo agjenci e pavarur është përgjegjëse për rregullimin e sigurisë së aviacionit civil dhe rregullimin ekonomik të aeroporteve dhe shërbimeve të navigacionit ajror në Kosovë.

Ndryshe, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari” nuk ka ndonjë linjë ajrore Prishtinë-Moskë. Autoritetet përgjegjëse nuk janë përgjigjur as nëse avionët rusë e përdorin hapësirën ajrore të Kosovës.