Gjinekologjia e Dibrës pa transfuziolog dhe anesteziolog

Në Spitalin e përgjithshëm në Dibër vazhdon të jetë shumë i vogël numri i lindjeve. Kështu është disa vite me radhë, thonë kompetentët, kurse problemi kryesor qëndron jo tek gjinekologët e punësuar në repartin e gjinekologjisë, por tek mungesa e tranfuziologut dhe anesteziologut në këtë institucion shëndetësor. Kjo do të thotë se në Repartin e Gjinekologjisë mungojnë kuadrot shumë domethënëse për kontrollin dhe procesin e lindjeve.

Duke marrë parasysh këtë situatë, edhe në fillim të këtij viti pjesa më e madhe e lindjeve që bëjnë nënat dibrane realizohen në Spitalet të Strugës, Ohrit, Tetovës dhe Shkupit. Ky problem u trajtua edhe gjatë tribunës që u mbajt në Dibër me temë “Ngritja e vetëdijes për mbrojtje dhe kujdes në shëndetin reproduktiv të gruas”, me pjesëmarrës të Ministrisë të Shëndetësisë dhe institucioneve lokale dhe shëndetësore.

Gjinekologu i njohur dibran, Dr. Argëtim Fida theksoi se pengesa kryesore për numrin e vogël të lindjeve që realizohen në Dibër është mungesa e transfuziologut dhe anesteziologut në repartin e gjinekologjisë pran Spitalit të Përgjithshëm në Dibër.

“Në këtë repart është i mjaftueshëm numri i gjinekologëve, këtu ka dy gjinekolog por mungojnë transfuziologu dhe anesteziologu, dy kuadro pa të cilët nuk mund të realizohet procesi i lindjeve”, ka theksuar gjinekologu Fida. Po sipas tij, gjinekologët janë me një përvojë e cila garanton siguri gjatë lindjeve por dy kuadrot e tjera mungojnë.

Sipas tij, prandaj është edhe numri shum i vogël i nënave që lindin në Dibrë dhe lindjet i realizojnë në Spitalet e qytetarëve të tjera në vend. Sipas tij patjetër duhet të angazhohen dy kuadrot në fjalë me çka mundësohet edhe një bashkëpunim shumë më i mirë të gjinekologëve amë të cilët funksionojnë në Dibër për nevojat e rajonit të Dibrës, Zhupës dhe Rekës me Spitalin e përgjithshëm respektivisht me repartin e gjinekologjisë. Një bashkëpunim më i mirë me Spitalin do të vazhdonte të ulë edhe numrin e femrave të cilat nuk kanë gjinekolog amë ku dhe mungojnë edhe kontrollet e grave.

Në lidhje me këtë problem biseduam edhe me drejtorin e Spitalit të Dibrës Baki Alili. Ai potencon se edhe pse ka angazhime të shumta për të plotësuar kuadrin e nevojshëm shëndetësor mungesa e transfuziologut dhe anesteziologut është evidente. Tentojmë nëpërmjet specializimeve të mjekëve të përmbushim këtë zbrazëtirë, thotë drejtori i Spitalit. Alili thekson se pritet shumë shpejt të tejkalohen këta probleme.

Njëherit kohëve të fundit ka një angazhim të madh nga Spitali por edhe nga Kryqi i Kuq komunal në Dibër për të vendosur edhe një bankë gjaku, gjë që do të mundësonte edhe një aktivitet plotësues në sferën e transfuziologjisë në këtë institucion shëndetësor. Të theksojmë se numri më i madh i lindjeve të nënave nga Dibra dhe komuna rurale Qendër Zhupë realizohen në Spitalin e Strugës por kohëve të fundit edhe në Spitalin e Ohrit. Nënat nga rajoni i Rekës së Poshtme në komunën Mavrovë Rostush në pjesën më të madhe të tyre lindin në Spitalin e Gostivarit, Tetovës dhe Shkupit. (koha.mk)