Gjilani në pritje të testimit për mbi 80 persona që dyshohen për COVID-19

Mbi 80 mostra të banorëve të Gjilanit, të cilët dyshohet se janë të infektuar me COVID-19, nuk janë testuar ende. Vetëm sot nga kjo komunë, janë marrë për testim 11 mostra.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli ka thënë se i kanë 68 raste aktive me këtë sëmundje.

Sipas tij, vetëm tre prej të infektuarve janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare, derisa tregon se gjendja e të infektuarve është stabile.

“Personat e infektuar janë të moshave te ndryshme, kryesisht mosha mesatare. Gjendja e të infektuarve është stabile, me pak simptoma, por e menaxhueshme. Kemi gjithsej 68 raste ende aktive, ku nga këto 65 janë në vetizolim dhe 3 janë në hospitalizim në Klinikën Infektive në Prishtinë. Sot janë marrë 11 mostra nga Qendra Rajonale e Shëndetit Publik për testim, ndërsa në pritje i kemi edhe rreth 70 mostra për t’i marrë rezultatet e tyre, pra në total janë mbi 80 mostra ende të patestuara”, ka thënë Ismajli.

Ndryshe, dje në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 311 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, ku kanë rezultuar pozitive 95 raste.

Rastet pozitive janë nga Peja, Vitia, Prizreni, Prishtina, Mamusha, Gjilani, Gjakovës, Istogut, Lipjani, Mitrovicë, Fushë Kosova, Kllokoti, Malisheva, Rahoveci dhe Vushtrria.

Me rastet e mbrëmshme, numri i personave që kanë rezultuar pozitiv ka shkuar në 2 mijë e 363, ku prej tyre janë shëruar 1 mijë e 171 pacientë dhe janë regjistruar 40 raste të vdekjes të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.