Gjilanasja Hava Maloku, një emër suksesi në Linkedin

Hava Maloku është shembulli më i mirë e një shqiptarje që është rritur dhe shkolluar në Kosovë dhe sot është një emër suksesi në një ndër kompanitë më të fuqishme si platformë, në Linkedin. Hava ka diplomuar në “Graceland University” në Lowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për tre vjet ka përfunduar dy drejtime në këtë Universitet: “Marrëdhënie për Biznes” dhe “Biznes Internacional” me orientim në teknologjinë informative.

Po ashtu është magjistre në “Biznes dhe Administrim” (MBA) në “University of San Francisco” dhe doktorante në “Golden Gate University” në drejtimin e Marketingut. Në një intervistë ekskluzive për revistën Albinfo.ch, Hava ka treguar rrugëtimin e saj të suksesshëm nga Kosova në SHBA. I gjithë suksesi i saj nuk ishte aksidental, por ishte fryt i punës së vazhdueshme, sistematike e konsistente të një ekonomiste të përkushtuar, siç është Hava Maloku.

Kosova, një nismë e re drejt sukseseve të mëdha
Hava ka një biografi interesante. Ajo është me prejardhje nga Gjilani. Deri në moshën 2 vjeçare jetoj në vendlindje dhe më pas, bashkë me familje kaluan me vendbanim në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë

“Shkollimin fillor e kam përfunduar në shkollën “Ismail Qemali” ndërsa atë të mesëm në gjimnazin “Xhevdet Doda”, tregon Hava. Ajo rrjedh nga një familje e shkolluar, nga dy prindër profesorë të “Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe gjashtë fëmijë, të gjithë të shkolluar në SHBA dhe një në Zvicër.

Rrugëtimi nga Kosova drejt Shteteve të Bashkuara
Hava po tregonte suksese të mëdha në gjimnazin “Xhevdet Doda”. Si rezultat i notave të larta, ajo fitoi një bursë për studime në “Graceland University” që gjendet në Lowa, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Për tre vjet, kam përfunduar dy drejtime në fakultet: Marrëdhënie për Biznes dhe Biznes Internacional me orientim në Teknologjinë Informative. Pasi përfundova studimet, u pranova për master në Nju Jorkut dhe San Franciskos. Vendosa të shkoj në San Francisco. Masterin për “Biznes dhe Administrim” (MBA) e kam përfunduar në “University of San Francisco” dhe me të përfunduar kam filluar me punë në San Francisko” tregon ajo.

Hava në fakt ishte e etur për shkollim, ajo pavarësisht punës që e bënte, vazhdoi doktoratën në “Golden Gate University” në drejtimin e Marketingut. Ajo përfundoi edhe Doktoraturën me temën “The influence of online reviews (volume and valence) on consumers’ decision towards downloading hedonic vs. utilitarian mobile apps”.

Jeta profesionale në SHBA
Hava në fillimet e para të karrierës ka punuar për disa startups në fushën e edukimit dhe financave si “Quinstreet” dhe “Adchemy”. Pastaj punoi për “Expedia”, që është një nga brendet kryesore të udhëtimit në botë. Më pas filloi të punoj për një kompani në fushën ligjore të quajtur “Legalzoom”. Ajo tregon për revistën Albinfo.ch. se sa i përket integrimit, nuk ka qenë fare e vështirë për të.

“Fillimisht e kam përvetësuar gjuhën e pastaj edhe jam ambientuar edhe me kulturën e zakonet. Amerika eshtë një vend shumë divers që ka njerëz me prejardhje nga vendet më të ndryshme. Kështu që ata në përgjithësi janë shumë të hapur dhe i pranojnë, besa edhe i pëlqejnë ushqimet, traditat, veshjet e shumë popujve dhe kulturave të tjera. Kështu që në Amerikë nuk është shumë vështirë për t’u integruar, sepse të pranojnë ashtu siç je, në fakt edhe të çmojë me shumë nëse je vetvetja”, shprehet ajo.

Kosovarja e vetme, në rrjetin e famshëm social, Linkedin
Hava është menaxhere në kompaninë e mirënjohur “Linkedin”. LinkedIn është një shërbim biznesi dhe punësimi që operon nëpërmjet internetit dhe aplikacioneve.

“Në Linkedin jam duke punuar që 6 vjet. Kam qëndruar kaq gjatë se më pëlqen misioni që ka Linkedin për t’i lidhur profesionistët anë e mbanë botës për t’i bërë ata më produktiv dhe më të suksesshëm. Është një platformë e mirë që ju mundëson profesionistëve të paraqesin tërë CV-në e tyre në formë digjitale dhe në këtë mënyrë rekrutuesit mund t’i kontaktojnë për punë të ndryshme ose për bashkëpunim”, shprehet Hava.

Në fakt, LinkedIn njihet edhe për fokusin që ka në diversitetin e klasës punëtore, secili respektohet dhe vlerësohet për punën që bën. jo për prejardhjen, fenë, apo racën. Hava është e kënaqur edhe për humanizmin që e bënë kjo kompani, për organizatat që janë në shërbim për njerëz që janë me nevoja.

“Në LinkedIn, më pëlqen fokusi në filantropi. Për çdo dollarë që i dhurojmë organizatave joprofitabile, ata e plotësojnë 100% deri në 15,000 dollarë. P.sh. nëse unë i jap $1,000 për një organizatë joprofitable, kompanija i jep 1,000 dollarë në emër timin”, tregon ajo.

E vetmja shqiptare që punoni në Linkedin dhe si e vetme, ajo mundohet t’i përfaqësojë ata denjësisht. Hava tregon për Albinfo.ch se Linkedin ka mbi 830 milionë anëtarë nga 200 vende të botës. Prej tyre 85 mijë janë në Kosovë dhe 430 mijë në Shqipëri. Sa u përket bizneseve, mbi 58 milionë biznese kanë faqe në Linkedin dhe mbi 120 mijë shkolla. Në Kosovë kemi 555 biznese ndërsa në Shqipëri 6600. Sa i përket të hyrave LinkedIn gjeneron 11.5 miliard dollarë.

“Arsye pse ekziston kjo diferencë kaq e madhe e anëtarëve midis Shqipërisë dhe Kosovës është se në fillim Kosova nuk ka ekzistuar si shtet, prandaj njerëzit e kanë zgjedhë Shqipërinë si shtet. Tash që Kosova ekziston si shtet, në platformë anëtarët mund ta ndërrojnë shtetin direkt në profilin e tyre”.

Hava, menaxhere e produktit më të madh në Linkedin, Linkedin Premium
Me fjalë të tjera, ajo manaxhon marketingun online përmes email-eve dhe web-faqeve për Linkedin Premium.Premium është një produkt me pagesë ($29.99 për muaj) që i shtohet profilit dhe si rezultat, anëtari me premium ka qasje në Linkedin Learning ku mund të ndjekë klasa online duke marre parasysh librarinë prej më shumë se 15,000 klasa.

“Roli që kam ka përgjegjësi të madhe, vetëm në një jave kam dërguar mbi 130 milionë emaile anëtarëve. Që do të thotë se kujdesi duhet të jetë maksimal që gjithçka të jetë korrekte se ndikon në tërë brendin e kompanisë”, tregon ajo. E pyetur nga Albinfo.ch se si e vlerëson rininë kosovare dhe sa janë të aftë në tregun e jashtëm, Hava tregon se është shumë e kënaqur me diapazanin e dijes së të rinjve në Kosovë.

“Rinia kosovare janë mjaft të aftë për tregun e jashtëm. Shumica e tyre e zotërojnë gjuhën angleze dhe kanë përgaditje të duhur akademike dhe profesionale. Unë njoh shumë persona që punojnë nga Kosova për kompani të ndryshme në Evropë dhe Amerikë”, përfundon ajo.