Gjermania tregon pse nuk po ngutet që të miratojë një vaksinë kundër COVID-19

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka thënë se vendi i tij ka vendosur që të ndjekë një procedurë më të gjatë për miratimin e përdorimit të ndonjë vaksine kundër koronavirusit.
Të mërkurën, Britania e Madhe u bë shteti i parë në botë që e miratoi për përdorim vaksinën e kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech” për trajtimin e koronavirusit. Sidoqoftë, ministri gjerman tregoi pse vendi i tij ka vendosur që të mos ngutet shumë në këtë aspekt. Sipas ministrit Spahn, Gjermania ka zgjedhur procedurë më të gjatë me qëllim që të rritet besueshmëria e popullsisë në vaksina.

“Kemi vende anëtare (të BE-së), përfshirë Gjermaninë, që do të mund të lëshonin autorizime të tilla urgjente, nëse do të dëshironin. Por ne kemi vendosur kundër kësaj dhe jemi rreshtuar nga një qasje e përbashkët evropiane për të lëvizur përpara së bashku”, tha Jens Spahn, kur u pyet rreth procedurës urgjente të Britanisë për vaksinën kundër sëmundjes COVID-19.

“Është shumë e rëndësishme që këtë ta bëjmë për ta ndihmuar promovimin e besimit në këtë autorizim”, shtoi ai. Ndryshe, vaksina e miratuar për përdorim në Britani të Madhe është zhvilluar nga kompania gjermane “BioNTech” në bashkëpunim me kompaninë amerikane “Pfizer”.
“Pfizer” dhe “Moderna” kanë aplikuar për miratim të vaksinave të tyre kundër koronavirusit edhe në Agjencinë Evropiane të Ilaçeve, por ky institucion ende nuk e ka dhënë dritën e gjelbër, siç bënë autoritetet britanike.