Gjermania përkrah liberalizimin e vizave për Kosovën

I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka bërë me dije se Kosova duhet të tregojë fleksibilitet në çështjen e targave dhe të shmangë veprimet që çojnë drejt përshkallëzimit të situatës. Zyrtari gjerman tha se Berlini përkrah liberalizimin e vizave për Kosovën, ndërsa nënvizoi se Gjermania po punon me partnerët europianë për të përmbyllur këtë proces.

“Qëllimi im tani është që ne të bëjmë pjesën tonë. Kjo është më e mira. Të tregojmë përfitime konkrete që qytetarët të udhëtojnë lirshëm në rajon dhe njerëzit ta dinë se diçka po zhvillohet pozitivisht. Liberalizimi i vizave në Kosovë është vendimtar. Vetëm nëse e përmbushim këtë ne mund të kemi një efekt shumë pozitiv në rajon, sepse qytetarët e Kosovës, me të drejtë kanë pritur që më në fund t`i shohin këto procese të sjellin përfitime konkrete në jetën e tyre të përditshme”, tha ai.

Manuel Sarrazin konfirmoi ekzistimin e propozimit gjermano-francez për marrëveshjen Kosovë-Serbi dhe e cilësoi atë si një dokument të rëndësishëm dhe të dobishëm./abcnews.al/