Ndërsa numri i infektimeve me virusin korona në Gjermani vazhdon të bjerë, ministri federal i Shëndetësisë paralajmëron për mutacione të reja tejet të rrezikshme.
Ministri federal i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, tha për gazetën “Bild am Sonntag” se Gjermania po përgatitet për mutacione dhe variante të reja të virusit korona. Sipas tij, “varianti Omikron që është shumë ngjitës mund të bëhet po aq vdekjeprurës sa Delta.
Dhe ky do të ishte një variant “killer” absolut.” Lauterbach tha se intervalet në të cilat variantet e reja zëvendësojnë të vjetrat po bëhen gjithnjë e më të shkurtra, duke shtuar se Gjermania ka porositur vaksina që mbrojnë nga variantet Omicron.
Lauterbach tha se “qëllimi ynë është që të kemi sa më shumë vaksina për çdo qytetar, pavarësisht se cili variant shfaqet. Së shpejti do të kemi vaksina si për variantin Omikron ashtu edhe për variantin Delta”.
Ndërkohë duket se gjatë shtatë ditëve të fundit numri i infektimeve me virusin korona në shkallë vendi ka vijuar të bjerë. Instituti Robert Koch (RKI) njoftoi se javën që lamë pas ka pasur 834.3 infeksione të reja për 100,000 banorë. Për krahasim: një ditë më parë vlera ishte 876.5 dhe dy javë më parë, madje 1097.9.
Megjithatë lidhur me javën që lamë pas duhet të merret parasysh se për shkak të pushimeve për festën e Pashkës landet nuk kanë raportuar të dhëna për të gjitha ditët e javës. Pra ka mundësi që në ditët në vijim numri i njoftimeve për infeksione të reja të rritet përsëri./DW/