Gjermania i dha goditje të madhe Thaçit e Vuçiqit

Gjatë ditës së djeshme, Bundestagu i Republikës Federale të Gjermanisë, vulosi qëndrimin e tij se kufijtë e Kosovës nuk duhet të preken, në ndonjë marrëveshje të mundshme Kosovë-Serbi. Pothuajse të gjitha partitë aty u shprehën kundër ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur me këtë, për “Bota sot” ka folur profesori e njohësi i çështjeve politike, Enver Bytyçi.

Ai e vlerëson këtë si goditje për ideatorët e projektit të ndarjes së Kosovës, teksa ka përmendur me emra Aleksandër Vuçiq, Hashim Thaçin, Edi Ramën dhe Baton Haxhiu.

“Sot Bundestagu i RF të Gjermanisë diskutoi rreth zgjatjes së afatit të trupave gjermane të KFOR-it në Kosovë. Por më së shumti debatoi për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, duke përforcuar qëndrimin e njohur se ky vend në përfundim të dialogut mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e qeverisë dhe institucioneve në të gjithë territorin e vendit. Ministri i Jashtëm Hass kundërshtoi çdo propozim të së majtës ekstreme dhe të djathtës ekstreme në Gjermani për një zgjidhje me shkëmbim territoresh si kusht i zgjidhjes së konfliktet shqiptaro-serb. Gjatë këtij diskutimi të gjitha partitë e qendrës, CDU/CSU, SPD, FDP dhe Gruene u shprehën kundër ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Këto parti përfaqësojnë afërsisht 80 përqind të deputetëve të Bundestagut gjerman. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm. Ky qëndrim inkurajon gjithë forcat shqiptare, të cilat janë kundër ndarjes së Kosovës dhe është goditje e ashpër për aktorët politikë që kanë punuar dhe punojnë për projektin e Serbisë së Madhe. Pra është një goditje për Aleksandër Vuçiq, Hashim Thaçin, Edi Ramën dhe Baton Haxhiu. Sigurisht këta emra nuk përmenden në Bundestag. Por logjika është e qartë dhe e thjeshtë. Nga qëndrimi politik i Bundestagut dhe qeverisë gjermane për këtë çështje ndjehen të humbur ideatorët, regjisorët, skenaristët dhe aktorët e dramës së ndarjes së Kosovës”, tha prof. Bytyçi.

Ai thekson se mbledhja e Bundestagut gjerman dhe diskutimi i kësaj teme, tregon se në tavolinë ka qenë çështja e prekjeve të kufijve, ndonëse presidenti Thaçi dhe ai i Serbisë nuk e pranojnë.

“Por le të ndalemi më shumë te pyetja e dytë se a ka qenë në tavolinë tema e kufijve. Ky diskutim, ashtu si edhe deklaratat e mëparshme të kancelares Merkel dëshmojnë për faktin se ndarja e Kosovës, ndryshimi i kufijve, shkëmbimi i territoreve ka qenë dhe është në tavolinën e bisedimeve midis Thaçit dhe Vuçiqit. Ajo që nuk pranojnë të dy presidentët, Thaçi dhe Vuçiq, nuk ka të bëjë vetëm me projektin për ndarjen e vendit. Ata mohojnë se janë takuar fshehtazi dhe kanë zhvilluar bisedime në fshehtësi për këtë çështje. Ndërkohë derisa një parlament tepër serioz, kredibil, i pakontestueshëm në moralin e tij politik, pra derisa Bundestagu i Gjermanisë e bën temë të ditës dhe në shumicë dërmuese shprehet kundër këtij projekti, do të thotë se jo vetëm diskutohet për këtë projekt në tavolina, por edhe bëhen takime sekrete, për të cilat ata që paguajnë koston, qytetarët e Kosovës nuk janë të informuar! Fshehtësia dhe errësira janë aleatë të intrigave dhe tradhtive! Dhe se flitet, bisedohet dhe vihet kompasi mbi hartën politike të Kosovës e dëshmojnë dhe personalitet të tjera. Kur Borrello tha se “Nëse palët bien dakord, atëherë nuk do ishte kundër ndarjes së Kosovës”, sigurisht që provoi se ky projekt është në tavolinë. Sepse të gjithë këta që i përmbahen kësaj formule, e shprehin qartë se “Presidenti i Serbisë dhe Presidenti i Kosovës janë të gatshëm të negociojnë edhe ndryshimin e kufijve midis dy vendeve”! Qoftë dhe gatishmëria e zotit Thaçi për të diskutuar këtë temë në dialogun me Serbinë e kompromenton funksionin e tij si kryetar shteti”, u shpreh ai.

Teksa flet për kronologjinë e “evolucionit” të projektit të ndarjes së Kosovës, Bytyçi thotë se në Beograd ekziston një dosje për presidentin Thaçi.

“Askush, sipas kushtetutës nuk ka tagër të diskutojë për kufijtë. Derisa është kështu, atëherë Thaçi edhe kur shpreh gatishmëri të diskutojë për këtë çështje ai shkel kushtetutën e vendit. Ndërkaq ka shumë deklarata të Vuçiq, Thaçit dhe Baton Haxhiut kanë në themel ndryshimin e kufijve në forma të ndryshme si shkëmbim territoresh e ndryshim kufijsh në fillim. Më pas si korrigjim kufijsh e në fund si përfitim të territorit të Luginës së Preshevës, pa i dhënë Serbisë asnjë metër katror territor. Kjo e fundit ishte absurditeti më i çuditshmi dëgjuar ndonjëherë. Ne e njohim deklaratën e Thaçit gushtin e vitit 2018 në Aplach të Austrisë, kur në prani të Vuçiq dhe presidentit të Sllovenisë deklarohej “Po, po unë do të punoj dhe angazhohem për korrigjimin e kufijve”, ndërkohë që presidenti i Austrisë shprehu habinë e kësaj kthese në qëndrimet e presidentit të Kosovës. Sot të gjitha deklarimet në mbështetje të ndryshimit të kufijve e motivojnë atë me dëshirën e presidentit serb dhe presidentit kosovar për këtë projekt serb. Dhe këta provojnë se ky projekt është në tavolinë. Por edhe ata që shprehen kundër ndryshimit të kufijve kanë parasysh se dy presidentët e të dy vendeve diskutojnë për këtë projekt. Dhe për në fund, Thaçi njihet për reagime nervoze kundër atyre që janë shprehur për mos ndryshimin e kufijve. Kësisoj ka reaguar kundër Angela Merkel, kundër Daniel Serwer etj. Thaçit nuk i mbetet të konfirmojë ose jo mbështetjen që i ka dhënë dhe i jep projektit serb të ndarjes së Kosovës. Nëse ai është i sinqertë për këtë, duhet të japë dorëheqjen nga takimet me presidentin e Serbisë dhe nga negociatat, duke ia kaluar stafetën institucionit të qeverisë, e cila është e ngarkuar me kushtetutë për këtë dialog. Kushtetuta e detyron atë ta japë dorëheqjen, por në fakt nuk e jep. Kjo do të thotë se ai ka vënë një bast, ose do ta ndajë Kosovën, ose do shkojë në Gjykatën Speciale. Para këtyre dy sfidave, ai deri sot ka zgjedh ndarjen e Kosovës, pra të japë territorin e shtetit, për të shpëtuar veten nga një gjykim dhe dënim jo i vogel nga ajo gjykatë. Dosja e kësaj gjykate me prova gjendet në Beograd . Po e ndau Kosovën, Beogradi nuk do ta çojë këtë dosje në Hagë”, u shpreh ai.