Gjermania dhe Franca po përgatisin njohjen e ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë

Në redaksinë e gazetës Koha ka shkuar një dokument që thuhet të jetë një “non-paper” i përgatitur nga Gjermania dhe Franca, si nismë e përbashkët e këtyre dy shteteve për rifillimin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje finale.

Autenticiteti i këtij dokumenti nuk ka qenë i mundur të konfirmohet nga gazeta, por disa diplomatë me të cilët ka kontaktuar KOHA, pak a shumë kanë konfirmuar se pikat që përmenden në të janë në përputhje me ato që pritet të diskutohen në dialog.

Sipas asaj që shkruan kjo gazetë, Gjermania e Franca po përgatisin marrëveshje ku Kosova dhe Serbia do t’ia njohin integritetin territorial dhe sovranitetin njëra-tjetrës.