Gjermania bën thirrje për zbatimin e armëpushimit të arritur mes Izraelit dhe grupeve palestineze

Gjermania ka bërë thirrje që të zbatohet armëpushimi i arritur mes grupeve palestineze dhe Izraelit i cili që nga 9 maji zhvilloi sulme ajrore kundrejt Gazës, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim nga ministria e Jashtme e Gjermanisë, thuhet se mirëpritet armëpushimi i arritur mes Izraelit dhe grupeve palestineze në Gaza.

“Bëjmë thirrje që kjo të zbatohet. Falënderojmë Egjiptin për përpjekjet e suksesshme në drejtimin për t’i dhënë fund dhunës”, thuhet më tej në deklaratë.

Po ashtu vihet në dukje rëndësia për mbrojtjen efektive nga goditjet me raketë kryesisht të popullatës civile dhe se duhet të sigurohet menjëherë qasja e ndihmave humanitare në Gaza, si dhe të furnizohen produktet e nevojshme bazë.

Ndër të tjera deklarohet se objektivi kryesor duhet të jetë sigurimi i një paqeje të qëndrueshme mes izraelitëve dhe palestinezëve, i cili i jep mundësinë të gjithëve për një jetë dinjitoze dhe në siguri.

Në sulmet ajrore që Izraeli filloi më 9 maj në rajone të ndryshme të Gazës duke mbrojtur idenë se ka vendosur në objektiv stafin drejtues të Lëvizjes Xhihadi Islamik, deri më tani kanë humbur jetën 33 palestinezë, përfshirë 6 fëmijë dhe 3 gra ndërsa janë plagosur 93 të tjerë.

Pas sulmeve që filluan më 9 maj, dje u arrit një armëpushim. Por është bërë e ditur se avionët izraelitë goditën disa pika në Gaza pasi armëpushimi kishte hyrë në fuqi në orën 22.00 sipas kohës lokale. Në një deklaratë me shkrim nga ushtria izraelite u njoftua se në kundërpërgjigje të raketave të lëshuara nga Gaza u goditën objektivat dhe raketahedhësit e Xhihadit Islamik.