Një misionare e gjuhës shqipe në Diasporë. E tilë është mësuese Nadire Rexhepi, e cila prej vitesh jeton në Gjermani, ku dhe jep kontributin e saj për mësimin e gjuhës shqipe. Të mëson gjuhën e nënës sipas saj është thelbësore në jetë pavarësisht se ku jeton. Në fund të muajit shkurt falë kontributit të Nadire Rexhepit dhe kolegut saj Muhamet Idrizi, gjuha shqipe u bë pjesë e programit mësimor në Hamburg. Në një intervistë për “Diasporë Shqiptare” Rexhepi tregon se sa shumë emocionohet kur në një shkollë gjermane, nxënës të kombësive të ndryshme e përshëndesin në korridore me fjalët shqip “tungjatjeta apo mirëmëngjes”.
Falë punës dhe kontributit tuaj, gjuha shqipe tashmë është pjesë e programit mësimor në Hamburg. Si ndiheni për këtë fakt?
Për mua mësuesia është mision dhe për këtë kontribut që kam dhënë unë mendoj që kam kryer misionin tim si mësuese. Misioni i mësuesit është të shpërndaj dije dhe të edukojë gjenerata aty ku është mundësia dhe ku e lyp nevoja. Fëmijët në Diasporë kanë më tepër nevojë të mësojnë dhe të ruajnë traditat e gjuhës dhe kombit shqiptarë. Për këtë arritje meritat e mëdha i ka edhe kolegu im Muhamet Idrizi, pa të cilin nuk besoj që do të arrihej kaq shpejtë qëllimi.
Sa e duan fëmijët shqiptarë mësimin e gjuhës shqipe?
Fëmijët dinë të duan gjithçka që ju serviret në mënyrë profesionale dhe atraktive. Për sa i përket nxënësve që tani veç më e ndjekin mësimin e gjuhës shqipe në shkollën tonë janë tepër të motivuar, në orë mësimore tregojnë një interesim të jashtëzakonshëm dhe ato janë arsyeja që edhe ne si mësues motivohemi edhe më shumë. Pa mos anashkaluar përkujdesin që tregojnë prindërit që tani e vë re në mësimin online përgjatë gjithë orës ju rrinë afër fëmijëve dhe ju ndihmojnë dhe çdo iniciative nga ana jonë i përgjigjen me përkushtim. Natyrisht nuk janë të gjithë kaq të përkushtuar, por ngelet të shpresojmë që interesimi do rritet. Dhe ne mendojmë që duke rritur kualitetin dhe atraktivitetin e mësimit shqip (p.sh duke i notuar fëmijët dhe nota shënohet në dëftesat e tyre dhe me këtë rritet mesatarja e notës) do rritet edhe motivimi dhe interesimi për ndjekjen e mësimit të gjuhës së prejardhjes.
Po fëmijë të huaj që duan të mësojnë shqipen ka?
Në fillim kur kemi organizuar këtë lloj kursi unë personalisht kam qenë skeptike, mirëpo jam e befasuar pozitivisht kur që në fillim janë lajmëruar diku te 80 nxënës, nga të cilët vetëm 20 mundën të ndjekin kursin. Kjo ka qenë përvoja më emocionuese gjatë kohës që punoj si mësuese në një shkollë gjermane, ku nxënës të kombësive të ndryshme më përshëndesin nëpër korridore të shkollës me “tungjatjeta apo mirëmëngjes”.
A është e vështirë për fëmijët e lindur në Gjermani të mësojnë gjuhën shqipe dhe sa ndikon përkushtimi dhe dëshira e prindërve në shtëpi për tja mësuar gjuhën fëmijëve?
Një nga vështirësitë do të veçoja kohën që është shumë pak 2 orë në javë për të mësuar një gjuhë, dhe natyrisht për këtë arsye përfshirja e prindërve është shumë me rëndësi. Prindërve ju takon edhe përgjegjësia që t’i regjistrojnë fëmijët në mësimin shqip. Nëse prindërit mendojnë se ska nevojë fëmija për gjuhën e prejardhjes, që fatkeqësisht ka një numër të konsiderueshëm prej tyre, i gjithë angazhimi ynë do të ishte i kotë.
Sipas mendimit tuaj cila është metoda më e mirë, tí flasin shqipe që nga momenti që fëmija vjen në jetë dhe më pas gjuhën gjermane (ose një tjetër) gjuhë të huaj fëmija e përvetëson vetvetiu apo një miksim me të dyjave?
Edhe studimet shkencore që kanë bërë gjuhëtarët kanë vërtetuar që për zhvillimin e fëmijës dhe për një mësim sa më të mirëfilltë te gjuhëve të tjera në vazhdim të jetës, është shumë me rëndësi që fëmija të njoh mirë gjuhën e nënës siç përdoret me terma gjerman ( die Muttersprache ose Herkunftsprache). Prandaj edhe Drejtoria e Arsimit të Hamburgut e përkrah edhe financiarisht mësimin e gjuhës së prejardhjes. Unë mund të flas nga përvoja ime profesionale si mësuese e gjuhës gjermane në klasat përgatitore në shkollën ku punoj, nxënësit që njohin më mire gjuhën amtare dhe që kanë njohuri për strukturën e gjuhës amtare shumë më lehtë mësojnë gjuhën gjermane ose ndonjë gjuhë tjetër.
Komuniteti shqiptar në Hamburg është i madh dhe nisma për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe vlerave shqiptare janë të shumta. Keni disa nisma që do ti veçonit që kanë pasur ndikim të madh në ruajtjen e gjuhës dhe traditës?
Natyrisht që në Hamburg kemi një numër të madh të Diasporës shqiptare dhe nisma të tilla nuk kanë munguar dhe besoj nuk do mungojnë. Shqiptarët kanë dëshmuar me shekuj që kanë ruajtur identitetin e tyre edhe pse janë përballur me probleme të ndyshme dhe fatkeqësisht shumica kanë qenë punëtorë krahu. Deri më tani në Hamburg ka pasur klasa të mësimit shqip, por kanë funksionuar në mënyrë të izoluar si p.sh në një shkollë apo edhe në xhami mësojnë nxënësit gjuhën shqipe. Ajo çka mungonte ishte një mundësi që vinte nga vetë ministria sikur e kishin disa gjuhë të tjera siç është turqishtja, arabishtja, serbishtja etj. Ky fakt na shtyu neve të merremi me integrimin e gjuhës shqipe në plan programet shkollore që tani e tutje të jetë afatgjate pa marrë parasysh a do jemi ne apo gjeneratat e ardhshme.
Të kthehemi pak pas në kohë, ju kur keni emigruar në Gjermani dhe sa të vështira kanë qenë fillimet?
Unë në fakt në Gjermani jam shpërngulur në fund të vitit 2016 dhe natyrisht që çdo fillim është i vështirë. Unë do veçoja disa faktorë që janë kyç për arritjen e qëllimit apo suksesit: të kesh synime të qarta, të kesh vendosmëri, qëllim të pastër, të jesh kompetent në fushën që vepron. Dhe në rastin tone unë them gjithmonë që ne u ndodhëm në kohën e duhur, vendin e duhur dhe bashkëpunuam me personat e duhur. Kur them me personat e duhur në këtë rast duhet falenderuar drejtoria e shkollës ku punojmë “Maretstrasse” në Hamburg, drejtoria e arsimit të Hamburgut si dhe ambasada e Shqipërisë dhe Kosovës që na kanë furnizuar ç’do vit me libra si dhe ambasada e Maqedonisë së Veriut që ka treguar gatishmëri për biseda në këtë drejtim.
Sa e ka vështirësuar pandemia procesin mësimor dhe si është situata momentalisht në vendin ku ju jetoni?
Si kudo tjetër edhe këtu në Hamburg pandemia na ndryshoi rrjedhën e ç’do aktiviteti, por në këndvështrimin tim që jam mësuar ti shoh gjërat me positivitet mendoj që pandemia na vodhi kohën por jo mundësitë, sepse në vend qe të mësonim me orar të plotë kemi mësuar online me orar të kufizuar, por në anën tjetër si nxënësit po ashtu edhe mësuesit kemi mësuar shumë gjëra te reja dhe inovative sa i përket teknologjisë dhe nuk e shoh si mangësi. Përkundrazi duke ditur që gjeneratat e reja janë shumë të lidhur me teknologjinë e kemi të detyrueshme që edhe mënyrën e mësimdhënies dalëngadalë ta ndryshojmë rrënjësisht. Natyrisht që kërkon kohë dhe strategji por ndryshime në të shumtën e rasteve bëhen nga nevoja e jo dëshira. Kështu që duhet të shfrytëzojmë kohën e pandemisë të mendojmë për inovacion edhe në arsim.
Edhe pse tani më në Hamburg kemi filluar me mësimin në prezencë, por të reduktuar, mësimi gjuhës shqipe vazhdon online ku në njërën anë shumë nxënës që jetojnë larg nga shkolla jonë e kanë më të lehtë kyçjen online se sa të udhëtojnë një orë deri në shkollë. Mësimi zhvillohet në mënyrë të shkëlqyer dhe nxënësit janë adaptuar shpejt me përdorimin e platformave adekuate për mësim në distancë.
Unë ju falenderoj dhe juve si media që kontriboni të shpërndani lajmin, sepse në këtë mënyrë njoftohen prindërit për mundësitë dhe mënyrat që ekzistojnë në vendet evropiane. Ju luani një rol të rëndësishëm në arritjet e sukseseve ku do qofshin në vend apo Diasporë.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.