Gjermani, ashpërsohet legjislacioni mbi reklamat për duhanin


Dhoma e Lartë e Parlamentit miratoi sot një ligj që zgjeron ndalimet mbi reklamat për duhanin në Gjermani, i vetmi vend i Bashkimit Europian ku ato lejohen ende në hapësirat publike.
Kështu Bundesrat miratoi më në fund një projektligj të vendosur në maj nga koalicioni në pushtet midis konservatorëve të Angela Merkel dhe socialdemokratëve, pas negociatave të gjata.

Nga fillimi i vitit 2021, reklamimi do të ndalohet në kinema për filmat e hapur për të miturit. Shpërndarja falas e cigareve gjatë ngjarjeve, të tilla si festivalet e muzikës, nuk do të lejohet më, raporton ATSh.
Vitin pasues, ndalimi do të përgjithësohet edhe në hapësirat publike.

Cigaret elektronike do të preken gjithashtu nga këto ndalime nga viti 2024.
Aktualisht, reklamimi i duhanit është i ndaluar në radio, televizion dhe në shtyp, por Gjermania është i vetmi vend europian që nuk ndalon posterat në rrugë dhe reklamat në kinema.