Gjendje kritike në Likovë, 11 të infektuar me Kovid-19 në 24 orët e fundit

Likova vazhdon të jetë vatër e virusit Korona. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 11 raste të reja. Sllupçani dhe Mateçi janë dy fshatrat më të prekur. Autoritetet kërkojnë nga qytetarët t’i respektojnë masat. Hoxha i Sllupçanit i cili humbi nënën si pasojë e Kovid-19, kërkon nga qytetarët të mbrojnë veten dhe familjet e tyre.

Mos ta marrin për lojë sepse nuk është lojë. Le të mbrohen, ta mbrojnë vetveten dhe familjet e tyre. Është e vështirë që të kalojnë dy javë dhe t’i të mos mund ta përqafosh fëmijën tënd -tha Abdylfeta Shahini, Hoxhë i fshatit Sllupçan.

Kryetari i Likovës kërkon nga qytetarët që të mos turpërohen për t’u testuar.

Të testohen sepse nuk është turp të testohet. Unë jam testuar 3 herë. Besoj se çdo qytetar duhet ta sheh si gjë normale dhe t’i nënshtrohet testit – u shpreh Erkan Arifi, Kryetar i Komunës së Likovës.

Nga Qendra e Shëndetit Publik në Kumanovë thonë se testimi masiv në Likovë lehtëson identifikimin e vatrave të virusit.

Falënderojmë ministrinë që na dha leje për testim masiv sepse kjo na lehtëson punën në identifikimin e vatrave dhe numrin e pacientëve të infektuar – deklaroi Arif Latifi, Drejtor i QSHP-së, Kumanovë.

Autoritet thonë se të gjitha rastet janë nga vatra të njohura. Likova për momentin ka 124 raste aktive.