Raste aktive me koronavirus në vend ka 7859, mes të cilave janë edhe 156 të diagnostikuarit e rinj në statistikën e djeshme. Pothuajse gjysma e numrit të përgjithshëm të rasteve aktive, përkatësisht 3691 janë në Shkup. Numra treshifrorë ka në 13 komuna, ndërsa dy prej tyre kanë mbi 400: Manastiri – 484 dhe Kumanova – 406. Më së shumti nga 156 rastet e reja (të konfirmuara nga 1309 testime) janë nga Shkupi (91), pas çka pasojnë Kavadari me 19, Manastiri me 13, Prilepi dhe Kumanova me nga tetë raste të reja. Ministria e Shëndetësisë dje kumtoi edhe për dhjetë persona të vdekur, dy prej të cilëve të moshës 35 dhe 38 vjeçare. Me ta, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga Kovid-19 arriti në 7242. Prej fillimit të epidemisë tek ne, të diagnostikuar me Kovid janë 206 233, ndërsa të shëruar janë 191 132 pacientë, mes të cilëve edhe 326 të cilët u evidentuan dje në buletinin shëndetësor.
Ministria e Shëndetësisë kumtoi se përfshirja e popullatës së rritur me një dozë të vaksinës është 57 për qind, ndërsa me dy doza janë përfshirë 46 për qind e qytetarëve mbi 18 vjeç. Lidhur me aplikimin e vaksinave të tërë popullatës, janë vaksinuar 39 për qind, ndërsa dy doza të vaksinës pranuan 37 për qind e popullatës. Dozë të tretë të vaksinës kanë marrë 43 376 qytetarë.Për shkak të përhapjes së virusit, po ashpërsohen masat anti-kovid në vendet e rajonit. Masa të reja dje hynë në fuqi në Slloveni, ku është e madhe prania e testeve pozitive prej 43,3 për qind dhe ka valë të madhe të pacientëve në spitale. Mesatarja e infektimeve të konfirmuara në një ditë për javën e fundit është 2878. Qeveria nuk u përcaktua për mbyllje por për masa të cilat përfshijnë kontroll të rreptë të vërtetimeve për Kovid-19, së bashku me dokumentin për identifikim, si dhe kufizim të orarit të punës për kafenetë, ndalesë për diskoteka dhe klube të natës, ndalesë për grumbullim jashtë rrethit familjar.
Me regjistrimin e 7335 rasteve të reja me Kovid-19 në 24 orët e fundit në Greqi, dje u shënua rekord i ri negativ i rasteve të reja në nivel ditor prej fillimit të pandemisë.Në vend ka rritje progresive të termineve për vaksinim nga persona të cilët deri më parë ishin të pavaksinuar pasi që ishin kumtuar masat e reja për të pavaksinuarit të cilat hynë në fuqi të shtunën dhe pas kontrolleve të shumta që po kryhen. Në periudhën prej 1 deri më 7 nëntor ka pasur rreth 149 000 termine të reja të caktuara. “Si edhe në shumicën e vendeve evropiane, ashtu edhe në Greqi edhe më tej situata po përkeqësohet”, deklaroi zëdhënësi i Qeverisë greke, Janis Ikonomu. Sistemi shëndetësor në vend është nën presion të fuqishëm, por Qeveria nuk mendon për vendosje të karantinës së plotë. Rritje më të madhe të rasteve pozitive dhe hospitalizimeve vërehen në rajonet e Greqisë veriore të cilat kanë mbulim më të ulët të imunizimit. Qeveria e Serbisë, ndërkaq, vendosi se vërtetimet për kovid prej dje bëhen të detyrueshme për mysafirët në objektet hotelierike, ndërsa do të vlejnë edhe në bastore dhe kazino.
Krahas katër vaksinave që deri më tani janë aplikuar, prej sot në Serbi do të fillojë të jepet edhe vaksina e Modernës, e cila tashmë po distribuohet nëpër pikat për vaksinim.