Gjenden 18 emigrantë të pajetë brenda një kamioni në Bullgari

Të paktën 18 persona mes të cilëve edhe një fëmijë janë gjetur të vdekur në një kamion të braktisur në Bullgari. Lajmi u dha nga qeveria e këtij vendi. Automjeti duket se transportonte ilegalisht rreth 40 emigrantë. Të mbijetuarit janë dërguar në spital për trajtim.

Njerëzit në kamion ishin lënë në të ftohtë, të lagur dhe nuk kishin ngrënë prej disa ditësh, tha ministri i shëndetësisë. Mendohet se ky është incidenti më vdekjeprurës me emigrantë në Bullgari.

Vendi lufton prej kohësh me emigrantë të paligjshëm që përpiqen të hyjnë në Bashkimin Evropian nga Turqia. Kamioni, i gjetur pranë fshatit Lokorsko, 20 km në veri-lindje të kryeqytetit të Bullgarisë, Sofje po transportonte ilegalisht emigrantët e fshehur nën disa dru.

Ministri i Shëndetësisë Asen Medzhidiev përshkroi kushtet brenda kamionit. “Ka pasur mungesë oksigjeni për ata që ishin mbyllur në këtë kamion. Ata ishin të ngrirë, të lagur, nuk kanë ngrënë për disa ditë.”
14 persona të gjetur të gjallë në kamion. Prej tyre 8 janë në gjendje të rëndë. Ata u dërguan në spital ndërsa 10 persona të tjerë u gjetën të fshehur aty pranë dhe do të dërgoheshin në spital për ekzaminim. Kombësia e emigrantëve nuk bëhet e ditur. Policia po kërkon për trafikantët e qenieve njerëzore që besohet se kanë drejtuar kamionin dhe kanë ikur.

Bullgaria është përballur shpesh me akuza se po abuzon me njerëzit që tentojnë të hyjnë nga Turqia. Azilkërkuesit thonë se janë bllokuar, arrestuar, zhveshur dhe rrahur nga policia vendase.