Gjatë luftës ishim 9 ushtarë në fshat, tash jemi 100 veteran

Rrëfime e reagime të ndryshme kanë nisur të jepen lidhur me publikimin e listës me emrat e personave që dyshohet se përfituan jashtëligjshëm statusin e veteranit. Në një rrëfim, ish- ushtar i UÇK-së, Bujar Morina nga komuna e Gjakovës tregon se gjatë luftës në fshatin e tij ishin 9 ushtarë, kurse tash në lista figurojnë 100 veteranë.

Veterani që tashmë është i vetëpunësuar dhe nuk merr beneficione nga shteti, thotë se me këtë formë të publikimit të listave po nëpërkëmbet lufta e veteranëve të vërtet të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Por, Morina i cili vjen nga fshati Lipovec i komunës së Gjakovës, ka rrëfyer për FaktePlus se në fshatin e tij gjatë luftës kanë qenë vetëm 9 luftëtarë, por që në listat e veteranëve figurojnë mbi 100 të tillë.

“Përmbi 100 vetë ishin bë pjesë e listës nga fshati jonë, ndërsa në luftë kemi qenë vetëm 9 vet. Kanë qenë edhe disa dezertorë që e kanë lënë luftën më 1998, e kanë shku në Gjermani. Shumica nga këta mbi 100 vet tash jetojnë në Gjermani, ndërsa i sheh si pjesë e listës së veteranëve”, ka thënë ai.

Sipas tij, disa nga bashkëluftëtarët edhe janë larguar nga listat e veteranëve, që siç thotë ai “për t’i bërë vendin vëllezërve të pushtetarëve”.

Ish- ushtari i UÇK-së, Bujar Morina thotë se është i gatshëm që në çdo moment para Prokurorisë së Shtetit të dëshmojë për ato që pretendon se janë të vërteta.

“Unë do të flisja, sepse dua ta mbrojë shtetin tonë. Dua të flas për ata që marrin e janë veteranë mashtrues”, theksoi Morina.

Ndryshe, dje është publikuar një listë e Prokurorisë Speciale me mbi 20 mijë emra si të dyshuar se përfituan jashtëligjshëm statusin e veteranit. Lista e plotë është dorëzuar për hetime të mëtutjeshme