Gjashtë raste të dhunës në familje për 24h

Policia përmes raportit 24 orësh ka bërë të ditur se janë shënuar edhe gjashtë raste të dhunës në familje.

Një rast ka ndodhur në Gllogoc, ku viktima mashkull (i mitur), ka raportuar se pas një mosmarrëveshje, është sulmuar fizikisht nga vëllai i tij i dyshuari mashkull kosovar. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Rasti tjetër ka ndodhur në Fushë Kosovë, ku viktima femër kosovare ka raportuar se, bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar në vazhdimësi është duke shkaktuar dhunë në familje duke e ofenduar dhe sulmuar fizikisht. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Të enjetën në Suharekë është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se i njëjti duke prishur disa orendi brenda shtëpisë kishte ushtruar dhunë dhe kanosur verbalisht babain e tij viktimën mashkull kosovar. I dyshuari është dërguar për kontroll në repartin e Neuropsikiatrisë, pastaj me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një grua nga Istogu ka raportuar dje se pas një mosmarrëveshje verbale ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull. I dyshuari është arrestuar, pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, në Deçan viktima femër ka raportuar se vajza e saj, e dyshuara femër kosovare në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj saj dhe dy familjarëve babait dhe vëllait të saj. Lidhur me rastin është arrestuar e dyshuara dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Rasti i fundit i dhunës në familje, brenda 24 orëve është shënuar në Malishevë, ku është arrestuar i dyshuari mashkull, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore. Viktima është duke u trajtuar në QKUK ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje./21Media