Gjashtë muaj pas djegies së spitalit modular në Tetovë, ja çka thotë Prokuroria

Gjashtë muaj pas zjarrit në spitalin modular të kovidit në Tetovë ku humbën jetën 14 persona, Prokuroria Publike informon se është duke u zhvilluar një fazë e analizës së të gjitha provave të mbledhura. Sipas informacioneve të tyre, ende duhet të punohet në zbardhjen e plotë të fakteve të rastit për të marrë vendim për përgjegjësi të mundshme penale. “Në rastin në vazhdimësi janë ndërmarrë veprimet në kuadër të procedurës para hetimore për konstatimin e të gjitha fakteve dhe rrethanave. Lidhur me këtë është urdhëruar ekspertiza nga MPB-Sektori për hetime dhe ekspertiza mjekoligjore teknike (SHEMT) i cili është publikuar menjëherë nga prokuroria dhe i cili i referohet shkaqeve të drejtpërdrejta të zjarrit. Janë urdhëruar dhe kryer edhe dy ekspertiza të tjera – nga Fakulteti Teknologjik dhe nga ekspertë – inxhinier elektrik”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë Publike.

Në tetor të vitit 2021, Prokuroria njoftoi se sipas ekspertizës së MPB-së, zjarri në spitalin modular ka ardhur si pasojë e djegies së kabllos zgjatues, në të cilin është vendosur një aparat defibrilator-reanimues, një karikues celulari dhe një pajisje tjetër. Gjatë asaj periudhe, u kërkua ndihmë në hetim ng ekspertë dhe hetues nga Policia Federale Kriminale e Gjermanisë, raporti i të cilëve erdhi në janar të vitit 2022.

“Nga ekspertët gjermanë është kërkuar ndihma juridike eksperte ndërkombëtare, kurse raporti i marrë, lidhur me shkaqet e drejtpërdrejta të zjarrit, nuk ndryshon shumë nga sa është konstatuar nga ekspertët e MPB-së – Sektori për hetime dhe ekspertiza mjekoligjore teknike ( SHEMT). Megjithatë, të gjitha raportet analizohen në korrelacion me provat e tjera të marra, si dhe me deklaratat verbale të dëshmitarëve të dëgjuar dhe personave të tjerë që kanë dijeni për ngjarjen. Analiza e të gjitha provave të mbledhura është në vazhdim e sipër. Prokurorët publikë pas vërtetimit të plotë të fakteve në rastin do të marrin vendim për të cilin menjëherë do të njoftohet opinioni”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike. Zjarri në spitalin modular ndodhi më 8 shtator 2021, ku jetën e kanë humbur 14 persona. Pati gjithashtu një marshim civil në tetor duke kërkuar përgjegjësinë për tragjedinë.