Gjashtë deputetë të Kuvendit të Serbisë njohin pavarësinë e Kosovës dhe e përkrahin Qeverinë Kurti

Gjashtë deputetë të Kuvendit Popullor të Serbisë e njohin pavarësinë e Kosovës dhe e përkrahin Qeverinë Kurti.
Sylejman Ugljanin, kryetar i Partisë Aksioni Demokratik i Sanxhakut, Shaip Kamberi, shef i Grupit parlamentar “Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak”, deputetët Enis Imamoviq, Nadije Beqiri, Mirsad Hodzhiq, Argjend Bajrami, Selma Kuçeviq, ia shprehën gjithë përkrahjen e tyre Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në takimin që patën sot në zyrën e tij në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Kryetari i SDA, Sulejman Ugljanin e falënderoi kryeministrin Kurti për miratimin në Kuvendin e Kosovës të rezolutës që dënon gjenocidin në Srebrenicë. Ai tha se boshnjakët janë shumë mirënjohës që Kuvendi i Kosovës u rreshtua në anën e së drejtës dhe dënoi kr*imin më të madh në Evropë, pas Lu*ftës së Dytë Botërore, kur 8000 burra e djem boshnjakë u vr*anë e u mas*akruan në një ditë nga forcat serbe të sigurisë.

Ugljanin theksoi se deputetët e koalicionit “Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak” e njohin pavarësinë dhe shtetin e Kosovës. Ai tha se e përkrahin kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës në angazhimin për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi. Duke mbrojtur të drejtat e shqiptarëve ju po mbroni edhe të drejtat e boshnjakëve, tha z. Ugljanin. Ai e vlerësoi qasjen e kryeministrit Kurti për vendosjen e reciprocitetit të të drejtave të pakicave kombëtare në Kosovë dhe në Serbi. Ky është ilaçi i zgjidhjes së problemeve të pakicave në Ballkan, shtoi ai.

Deputetët e njoftuan kryeministrin Kurti për funksionimin e organeve ekzekutive të Këshillave nacionalë, ata thanë se Këshilli Nacional Boshnjak në Serbi i ka 35 anëtarë dhe 7 delegatë në bordin ekzekutiv. Ndërsa Asamblea e Këshillit Nacional Shqiptar i ka 15 anëtarë.

Kryeministri Kurti tha se aktualisht gjysma e Sanxhakut ndodhet në NATO e gjysma jo, duke u bazuar në faktin që një pjesë e Sanxhakut ndodhet në Serbi e tjetra në Mal të Zi.
Ai ritheksoi se Serbia duhet të distancohet nga e kaluara e përgjakshme dhe politika e Sllobodan Milosheviqit. Pa u distancuar dhe pa e bërë Serbia një introspeksion për të kaluarën e saj, nuk mund të ecet drejt të ardhmes dhe normalizimit të raporteve me Kosovën, tha kryeministri Kurti.