Gjakderdhje nga sytë/ Identifikohet rasti i parë me virusin e rrezikshëm, ja simptomat

Një virus vdekjeprurës, që shkakton vdekjen e 30% të personave të infektuar duke u shkaktuar gjakderdhje nga sytë, është raportuar në Spanjë, pasi një burrë u shtrua urgjentisht në spital.

Burri në qytetin Leon, në veriperëndim të Spanjës, u diagnostikua me ethe hemorragjike Krime-Kongo (CCHF) pasi u pickua nga një rriqër.

Burri ndodhet në spital, ndërsa autoritetet thanë se ai ndodhet në gjendje të qëndrueshme, edhe pse sëmundja paraqet rrezikshmëri të lartë.

Simptomat e virusit përfshijnë ethe, dhimbje, marramendje, ndryshime të humorit, konfuzion dhe gjakderdhje, veçanërisht të syve dhe në lëkurë. Shenja e infeksionit shpesh paraqitet papritur dhe shumë prej të infektuarve vdesin brenda dy javësh nga diagnoza.

Virusi u zbulua për herë të parë në Krime në vitin 1944 dhe është endemik në Afrikë, Azi, Lindjen e Mesme dhe Ballkan.