Gjakderdhja nga mishi i dhëmbëve mund të jetë një shenjë e mungesës së vitaminës C

Megjithëse gjakderdhja nga mishi i dhëmbëve është një shenjë e gingivitit (inflamacionit të mishit të dhëmbëve) – një fazë e hershme e sëmundjes parodontale, ajo gjithashtu mund të sinjalizojë nivele të ulëta të vitaminës C në trupin tuaj, sugjeron një studim i botuar në revistën mjekësore Nutrition Reviews.
Studiuesit kanë ekzaminuar 15 studime të botuara, në të cilat kanë marrë pjesë 1.140 njerëz të shëndetshëm, si dhe janë analizuar të dhëna mbi shëndetin dhe dietën e 8.210 njerëzve të marrë në një studim të kryer nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Ata zbuluan se nivelet e ulëta të vitaminës C në qarkullimin e gjakut shoqëroheshin me një rrezik në rritje të gjakderdhjes nga mishrat e dhëmbëve dhe vunë në dukje se rritja e marrjes së vitaminës C mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemit.
Gjakderdhja e shtuar është përgjithësisht një nga simptomat e skorbutit, një sëmundje e shkaktuar nga mungesa e rëndë e vitaminës C. Skorbuti, i cili shpesh prekte marinarët në shekullin e 18-të të cilët nuk kishin qasje në fruta dhe perime, është një dukuri shumë e rrallë sot.

Marrja e rekomanduar ditore e vitaminës C për të rriturit është 90 miligramë, ndërsa ekspertët rekomandojnë konsumimin e ushqimeve të pasura me vitaminë C, si lakër jeshile, portokall, speca dhe kivi, ose marrja e suplementeve ditore të vitaminës C nga 100 deri në 200 miligramë.
Gjithashtu, ata paralajmërojnë se duhet të konsultoheni me dentistin tuaj nëse mishrat e dhëmbëve ju rrjedhin gjak gjatë larjes ose pastrimit të dhëmbëve me pe.