Gërçeci dhe Krushopeku me javë pa rrymë, banorët protestojnë para zyrave të EVN-së

Banorë të fshatit Gërçec dhe Krushopek të Sarajit protestuan para zyrave të EVN-së në Gjorçe Petrov. Këtu i priste kordoni policor dhe i njësiti special për intervenim të shpejtë. Ka javë që këta banorë thonë se janë pa rrymë, e sipas tyre EVN nuk po merr masa për zgjidhje. Disa banorë hynë për të biseduar me përfaqësues të EVN-së. Pas takimit, treguan se për çfarë biseduan.

“Nuk ka asnjë lajmërim se dikush e vjedh rrymën por nuk e kanë kapur asnjë. D.m.th. ai që e ka vjedh rrymën duhet t’i ndërpritet, nuk i është ndërpre askujt. Thonë që kemi pengesa nuk na lejojnë t’i vendosim orëmatësit në rrugë, i thash ku e keni lajmërimin që do të vendosni orëmatësit në rrugë dhe që dikush u ka bërë pengesa nuk e kanë dëshmi”.

Banorët thonë se ky problem po bëhet me qëllim.
“E pash një kuti e morën me vete dhe i nxorën siguresat më të dobëta që ishin, dhe i vendosën siguresat më të mira, nuk kemi pas problem, vetëm se me qëllim këtë problem e bëjnë, problemin vetë e bëjnë”.
Nga EVN i thanë TV21 se banorë të Gërçecit dhe Krushopekut nuk lejojnë të sanohen defektet dhe se vazhdimisht pengohen nga banorët në realizimin e projekteve investuese për rekonstruimin e rrjetit.

“Përveç pamundësisë për të punuar, punonjësit ballafaqohen edhe me ofendime dhe kërcënime për jetën, si dhe kërcënime për shkaktim të dëmeve materiale. Për sa i përket defekteve, të njëjtët ndodhin dhe përsëriten si rezultat i mbingarkesës së vazhdueshme të rrjetit sepse konsumatorët ilegalisht dhe në mënyrë të pakontrolluar shfrytëzojnë energji elektrike. Për sa kohë të ekzistojë pamundësia për punime”.
Banorët që protestuan mohojnë që dikush t’i ketë penguar punëtorët e EVN-së për të rregulluar problemin. Thonë se nëse problemi nuk do të sanohet, ata edhe ditëve në vijim do të protestojnë në autostradën Tetovë-Shkup.