Gençovska: “Bullgaria nuk e pranon gjuhën maqedonase”

Ministrja bullgare e Punëve të Jashtme Teodora Gençovska tha se protokolli përmban masa jashtëzakonisht ambicioze, të cilat në praktikë synojnë zgjidhjen e shumë çështjeve të hapura me Maqedoninë.

“Ky nuk është një dokument në vetvete, por pjesë përbërëse e paketës së të ashtuquajturit “propozim francez”. Prandaj, ne vazhduam punën në nivel të “ekspertëve” me një ekip nga Republika e Maqedonisë së Veriut”, tha Gençovska. Ajo shtoi se tani e tutje varet vetëm nga Maqedonia se kur do të hyjë vendi në BE dhe sa do të zvarritet procesi i negociatave.

“Me rastin e përcaktimit të datës për konferencën e parë ndërqeveritare nga presidenca çeke e BE-së, Republika e Maqedonisë së Veriut do të ketë një konferencë politike ndërqeveritare. Vetëm pas këtij procesi do të ketë një konferencë të dytë ndërqeveritare, pas së cilës do të fillojë realisht procesi i negociatave. Kjo periudhë varet nga autoritetet e Maqedonisë, mund të zgjasë 3 muaj, siç ishte gjatë ndryshimit të emrit të shtetit, mund të zgjasë edhe dy vjet”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, hapat e ardhshëm duhet të çojnë në përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e RMV-së. E pyetur nga BNT, Gençovska theksoi se Bullgaria nuk devijon nga qëndrimi i saj për gjuhën, duke qenë se negociatat me BE-në do të përkthehen në gjuhën zyrtare të Maqedonisë.

“Bullgaria nuk devijon nga qëndrimi i saj për gjuhën zyrtare të Maqedonisë. Ne e respektojmë plotësisht vendimin e Kuvendit Kombëtar, sipas të cilit Bullgaria nuk e njeh këtë gjuhë. Në kontekstin e 26 anëtarëve të mbetur, megjithatë, kjo është më konkrete, ata kanë qëndrimet e tyre dhe ne nuk mund t’i detyrojmë në asnjë mënyrë që të pranojnë qëndrimin tonë, por pozicioni bullgar është i garantuar në të gjithë kornizën e negociatave”, tha Gençovska.