Genc Prelvukaj: Nuk ka dhe as nuk ka pasur kurrë popull Dardan

Këngëtari dhe studiuesi i doktoraturës në histori, Genc Prelvukaj, ka folur rreth termit populli “Dardan”.
Sipas Prelvukajt, në kuptimin etnik, nuk ka pasur kurrë popull “Dardan”, ashtu siç nuk ka pasur asnjëherë popull Kaon, Enkelenj Taulant, Dokleat Labeat.

Tutje, ai ka shtuar se popullsia e sotme e Kosovës është një bashkësi e shumë grupimeve fisnore shqiptare.
Më poshtë edhe postimi i plotë.

Nuk ka dhe as nuk ka pasur kurrë popull Dardan (në kuptimin etnik) , siç nuk ka pasur asnjëherë popull Kaon, Enkelenj Taulant, Dokleat, Labeat etj. Të gjitha këto ishin bashkësi fisnore ilire dhe asgjë tjetër.
Flamuri i përzgjedhur nga Ibrahim Rugova është një dizajn alternativ i flamurit kombëtar shqiptar dhe nuk është flamur Dardan. Është tërësisht e pakuptimtë të mendohet që është stemë e trashëguar nga antikiteti. Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së Kosovës nuk rrjedh nga Dardania. Fiset e sotme si Hoti, Kelmendi, Kastrati apo Berisha, nuk kanë lidhje me Dardaninë e vjetër.
Popullsia e sotme e Kosovës është një bashkësi e shumë grupimeve fisnore shqiptare. Ka autoktonë që nga antikiteti por ka edhe të ardhur. Në Kosovë ka Mirditore e Matjanë sikurse që ka në Jug të Shqipërisë Kosovarë të vjetër.
Ne si shqiptarë kemi të kaluar të pasur e të lavdishme. Nuk kemi pse të fabrikojmë teori historike të paqena. Ndryshe bëhëmi si Bullgarët e Maqedonisë të cilët, për gaz të botës, mendojnë që kanë diçka nga populli i Aleksandrit të madh.
Dardania është pjesë e jona, por ne jemi shumë më shumë se aq. Tendenca për ta lidhur origjinën e shqiptarëve të Kosovës vetëm me bashkësinë fisnore dardane, përveç se është lajthitje historike, është rrugë e rrezikshme që çon drejt shkëputjës nga bërthama etnike shqiptare.