Genc Prelvukaj merret pak me politikë: Dështimet e Shpend Ahmetit duhet t’i faturohen edhe Vetëvendosjes

Genc Prelvukaj, është ndër këngëtarët më të njohur në trojet shqiptare.
Vite më parë ai hyri edhe në politikë, konkretisht në PDK, ndërsa një kohë ishte edhe këshilltar në Ministrinë e Kulturës.
Por ky rrugëtim i tij nuk zgjati shumë, dhe Prelvukaj ju rikthye fuqishëm muzikës ku publikoi disa këngë që u pëlqyen mjaft shumë nga publiku.

Megjithatë, edhe pse tashmë nuk është aktiv në skenën politike, Prelvukaj kohë pas kohe thumbon parti e politikanë të ndryshëm.
Kështu ka bërë sot, ndërsa ka komentuar punën e kreut të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ku ka thumbuar Lëvizjen Vetëvendosje.

Prelvukaj ka thënë se dështimet e Shpend Ahmetit duhet t’i faturohen edhe Vetëvendosjes, pasi kjo e fundit e ka propozuar për të parin e kryeqytetit.
“Në betejën politike për Prishtinën, para katër vitesh Shpend Ahmeti është deleguar nga Lëvizja Vetëvendosje. Struktura e saj ka punuar në sigurimin e votës, ndërsa komisioneret dhe vëzhguesit e kanë mbrojtur secilën nga to.
Meqenëse nuk ka pikur nga qielli dhe as nuk ka konkuruar si i pavarur, dështimet e tij duhet ti faturohen edhe partisë që e ka propozuar dhe dërguar drejt pozitës.
Shpendi ka ndryshuar bindje politike, por kjo nuk është argument shfajësimi. Nuk mund ti ikësh përgjegjësive nëse ke zgjedhur kandidat të gabuar të të përfaqësojë”, ka shkruar Prelvukaj në Facebook.