Një gazetare e BBC, e cila 7 vite më parë postoi në Twitter frazën “Hitleri kishte të drejtë”, por që u shfaq përsëri në rrjetin social, është nën hetim.
Tala Halawa ka thënë edhe se “Izraeli është më nazist sesa Hitleri”, ndërsa shau edhe ushtrinë e këtij vendi në një postim të 20 korrikut 2014, përpara se të bëhej gazetare e BBC.
“Screenshot”-i i postimit të vjetër u postua nga profili “Honest Reporting Twitter”, që e përshkruan veten si promovues të “mbulimit të drejtë mediatik mbi Izraelin”.
“Halawa ndikon dhe krijon lajme që lexohen nga miliona njerëz në botë. Si mundet që një njeri i tillë të punojë në një agjenci informative?”, lexohet në postim.
Një zëdhënës i BBC tha se “postimet e vjetra janë pikëpamje personale”, por gjithsesi shtoi se ka nisur një hetim për gazetaren.