Gazetarja bullgare i dhuroi mollë të kuqe kryeministrit Kovaçevski

Një gazetare nga Bullgaria, në fund të konferencës së sotme të përbashkët në mes kryeministrave Kirill Petkov dhe Dimitar Kovaçevski, i ka dhuruar mollë të kuqe kryeministrit të RMV-së.
Pasi përfunduan konferencën ajo iu afrua Dimitar Kovaçevskit dhe i dhuroi mollën e kuqe, ndërsa i dëshiroi sukses.

“Zotri Kovaçevski, më lejoni t’iu dëshiroj shëndet, mollë e kuqe bullgare, në shenjë të falënderimit se ju të dy do ta ruani unitetin në mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut”, tha gazetarja.
Për këtë gjest, kryeministri bullgar Kirill Petkov buzëqeshi dhe tha “molla jonë e bukur”.

Theksojmë që kryeministri bullgar Kirill Petkov, sot ka qëndruar për vizitë zyrtare në RMV, ndërsa delegacionet e të dy qeverive kanë mbajtur mbledhje të përbashkët.
Pas takimit me Kovaçevskin, Petkov deklaroi se fokusi në të ardhmen do të jetë që të zgjidhet kontesti në mes Shkupit dhe Sofjes. Bullgaria edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të BE-së vendosi veto ndaj nisjes së negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në.