Gazetari turk Gungor Arslan u qëllua për vdekje jashtë zyrave të gazetës së tij

Një gazetar u qëllua dhe u vra jashtë zyrave të gazetës së tij në veriperëndim të Turqisë të shtunën, njoftuan policia dhe mediat lokale.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Gungor Arslan, drejtori dhe kryeredaktori i së përditshmes lokale Ses Kocaeli (Zëri i Kocaelit) u qëllua dhe u plagos rëndë, duke vdekur në spitalin e qytetit menjëherë më pas.

Policia lokale tha se kishte arrestuar një të dyshuar, por nuk e identifikoi atë dhe nuk dha ndonjë detaj për sulmin.

Erol Onderoglu, përfaqësuesi turk i grupit të të drejtave të medias me bazë në Paris, Reporterët pa Kufij (RSF) i tha AFP se Arslan kishte hetuar korrupsionin në qytet.

Duke dënuar vrasjen, ai bëri thirrje që personat përgjegjës të identifikohen dhe të ndëshkohen në masën e plotë të ligjit.Siç bëjnë të ditur mediat, në dy edicionet e fundit të Ses Kocaeli, Arslan kishte akuzuar kryetarin e qytetit, një anëtar i partisë në pushtet AKP, për dhënien e kontratave grupeve të afërta me partinë. /Telegrafi/